E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien në grackën e uniformave blu dy falsifikatorë



Tiranë – Dy persona kanë rënë në grackën e policisë teksa kjo e fundit kishte informacion se ishin falsifikatorë të dokumenteve shtetërore. Burime të sigurta thanë për gazetën se Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko Financiar, pranë Policisë së Kryeqytetit ka arrestuar në flagrancë Arjan Llukaj, 27 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i një subjekti privat dhe Sabah Mera, 44 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i Repartit të Reagimit të shpejtë në Zall - Herr. Kapja e tyre u realizua pas grumbullimit të informacioneve pasi dyshohet se të sipërcituarit merreshin me falsifikim të dokumenteve zyrtare. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dëshmi aftësie të drejtimit të mjeteve, certifikata Irisoft me fotografi me vulë të njomë etj. Uniformat blu në bashkëpunim me Prokurorinë po hetojnë aktivitetin e jashtë ligjshëm të tyre si dhe implikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” si dhe të “Falsifikim të dokumenteve shkollore”, parashikuar nga nenet 186 dhe 187 të Kodit Penal.

Mbante pistoletë pa leje, arrestohet nga policia

Tiranë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë ndaluar në flagrancë në rrugën “Gjergj Legisi” një adoleshent i cili mbante armë pa leje. Burime të sigurta thanë për gazetën se Ermal Leka, 18 - vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Laprakë është prangosur pasi iu gjet gjatë një kontrolli rutinë një pistoletë tip TT, si dhe një krehër me 7 copë fishekë, të cilën e posedonte pa leje. U kryen veprimet procedurale, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.

Aksidentoi të moshuarën, ndalohet drejtuesi i mjetit

Tiranë - Policia ka vënë në pranga drejtuesin e një autoveturë pasi ka aksidentuar një të moshuar ndërsa po përpiqej të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Burime policore thanë për gazetën se është marrë masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për shtetasin Mersin Gurabardhi, 42 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë rreth orës 16:15, duke qarkulluar pranë kthesës së Bathores, me automjetin e tij tip “Wolksvagen”, me targa TR 4835 N, ka aksidentuar shtetasen Zenepe Malasi, 87 vjeçe, banuese në Kodër Kamzë. Aktualisht e aksidentuara ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, në ngarkim të shtetasit Mersin Gurabardhi.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›