E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi falënderon Macdonald-in për ndihmën që Britania i ka dhënë Policisë shqiptare



Tiranë - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, priti në një takim prokurorin e Përgjithshëm të Mbretërisë së Bashkuar, z. Ken Macdonald. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e falënderoi atë për ndihmën që ka dhënë qeveria britanike si dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në këtë vend për Policinë shqiptare. Z. Prençi e njohu prokurorin britanik me strukturën e Policisë së Shtetit si dhe mënyrën e funksionimit të saj. “Ndihma e dhënë nga ju është shumë e madhe. Mjafton të përmendim këtu bashkëpunimin policor shkencor, apo investimet në bankën e të dhënave për gjurmët e gishtave. Falë ndihmës suaj ne tashmë kemi teknologjinë më të mirë të laboratorit shkencor, me anë të të cilit kemi bërë të mundur zbardhjen e një numri të madh ngjarjesh të vjetra. Kemi shumë suksese në lidhje me hetimin e krimeve, trafikut të drogës, trafiqeve të paligjshme etj., duke përdorur metodat speciale të hetimit, por kjo edhe falë projektit të binjakëzimit ndërmjet Drejtorive të Krimit të Organizuar”, - pohoi Prençi. Ndërkohë që prokurori i Përgjithshëm i Mbretërisë së Bashkuar, z. Ken Macdonald, pasi u prezantuar me strukturën dhe punën e Policisë së Shtetit, kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë. “Ne jemi këtu për të rritur edhe më tej bashkëpunimin për një luftë më të suksesshme ndaj krimit të organizuar. Jam informuar për arritjet dhe rezultat e mira të punës suaj dhe do të keni ndihmën tonë në çdo moment. Duke parë përvojën tonë disavjeçare, ajo që është e rëndësishme në një hetim të suksesshëm, pa dyshim që është bashkëpunimi Polici-Prokurori. Një bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë bën që dosja, kur të shkojë në gjykatë, të marrë vetëm një drejtim, personat përgjegjës të marrin dënimin e merituar. Prandaj më vjen shumë mirë që dy institucionet, Polici dhe Prokurori, tashmë kanë firmosur një urdhër të përbashkët, duke përmirësuar edhe më tej bashkëpunimin në luftën ndaj krimit”, - theksoi z. Macdonald.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›