E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuria e mohuar, vetëflijohet studenti i Informatikës

Vullnet Dika, nga Struga, piu fostoksinë në depresion e sipër. Letra e lamtumirës për prindërit dhe arsyet pse vendosi të vrasë veten

Luan Kondi

Tiranë – Është vetëhelmuar me fostoksinë në depresion e sipër, por më pas është bërë pishman, ndaj dhe ka telefonuar në familjen e tij në Strugë. Vullnet Dika, studenti 19-vjeçar i Inxhinierisë Informatike, i ka dhënë fund jetës pas një zhgënjimi në dashuri. Ngjarja ka ndodhur dje paradite në lagjen “Ali Demi”, ku shqiptari nga Maqedonia kishte marrë me qira një apartament. Madje i riu e kishte parapërgatitur veten teksa kishte shkruar në kompjuterin që kishte në banesën e tij një letër lamtumire ku sqaronte edhe arsyet që e kishin shtyrë drejt vetëvrasjes. Sipas policisë, 19-vjeçari i kërkonte ndjesë të afërmve për plagën që u shkaktonte, por ai nuk mund të rronte i turpëruar nga një lidhje dashurore e prerë në mes.
Ngjarja
Sipas policisë, i riu nga Struga kishte vendosur të pinte helm në gjendje depresioni. Më parë ai kishte shkruar në kompjuter arsyet që e kishin nxitur të merrte vendimin fatal për jetën e tij. Pak minuta pasi kishte pirë helmin vdekjeprurës, i penduar për veprimin Vullnet Dika i ka telefonuar familjarëve duke i kërkuar të falur. Vetëm dje rreth orës 12:00 policia ka mbërritur në banesën ku jetonte me qira studenti i Informatikës, pas njoftimit që kishte marrë nga familjaret e viktimës. Sipas policisë, mendohet se përfundimi i një historie dashurie mund të ketë qenë shkaktari i vetëvrasjes së 19 - vjeçarit nga Struga, i cili vazhdonte studimet në vitin e parë për Informatikë në Universitetin e Tiranës.
Vdekja
Menjëherë, shërbimet e policisë që shkuan në vendngjarje e dërguan të riun në Spitalin Ushtarak Tiranë, por ka qenë tepër vonë që mjekët ta rikthenin në jetë. Më pas ai nuk ka mundur të jetojë, si pasojë e konsumimit të lëndëve helmuese. Mjekët vetëm pak orë më pas kanë konfirmuar vdekjen e të riut, i cili kishte konsumuar sasi të mëdha fostoksine. Trupi i pajetë i Vullnet Dikës është dërguar në morg për të kryer ekzaminimet e rastit. U kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa në banesën me qira të marrë prej viktimës, u gjendën në cilësinë e provës materiale dhe u sekuestrua një kuti cilindrike me disa ilaçe, si dhe një letër lamtumire e dedikuar për prindërit e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për kryerjen hetimeve të mëtejshme të kësaj ngjarje.

“Gjeniu i vogël” kap 5 të mitur për vjedhje automjetesh

Tiranë – Pesë adoleshentë janë vënë në pranga pasi dje u janë vërtetuar vjedhjet. Burime nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Gjeniu i vogël”, i ndërmarrë nga seksioni i posaçëm Kundër Vjedhjeve të Automjeteve, ndaluan 5 persona, pasi dyshoheshin si hajdutë të mjeteve motorike. Burimet thanë se të miturit S. M., 16 vjeç dhe E. Sh., 16 vjeç, nga Tirana, do të mbeten në qeli, ndërsa tre të tjerët dhe më konkretisht, M. C., 11 vjeç, A. M., 14 vjeç dhe S. C., 15 vjeç, nga Tirana, do të ndiqen në gjendje të lirë. Po sipas këtyre burimeve arrestimi i pesë adoleshentëve u krye pasi dyshohet të kenë qenë autorë të vjedhjes së automjetit tip “Benz Mercedez”, me targa TR 1070 F, në pronësi të një shtetasi, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Teodor Keko”. Po ashtu, ata dyshohet se kanë realizuar edhe vjedhjen e një tjetër automjeti dy ditë më parë në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë. Ndërkohë po vazhdon puna hetimore për dokumentimin e të tjera vjedhjeve të realizuara nga këta të mitur. Gjithashtu, është mundësuar gjetja dhe sekuestrimi i automjeteve të vjedhura dhe materialet i kaluan Prokurorisë për të bashkëlidhur të gjitha procedimet e kryera prej tyre. Është dokumentuar tërësisht implikimi i tyre në realizimin e disa vjedhjeve të automjeteve. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë për të bashkëlidhur të gjitha procedimet e kryera prej tyre.

Të ndaluar
S. M., 16 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë
E. Sh., 16 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë
Hetohen në gjendje të lirë
M. C., 11 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laprakë Tiranë
A. M., 14 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë
S. C., 15 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›