Qeveria, 420 milionë USD për rikonstruksionin e rrugëve dytësore
Qeveria shqiptare ka akorduar dje një fond prej 420 milionë dollarësh për rikonstruksionin e rrugëve dytësore. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë kryeministri Berisha tha se “me këtë fond do të rikonstruktohen 1 500 km rrugë rurale dhe dytësore”. Gjithashtu, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Financave nisjen sa më parë të procesit të shpronësimeve në zonën e Unazës së Re në Tiranë. Një procedurë e tillë do të ndihmonte në ndërtimin e Unazës së Re, e cila do të lehtësonte trafikun e rënduar në kryeqytet. Kryeministri Berisha i premtoi FMN-së se do të ngushtojë deficitin buxhetor dhe do të ulë borxhin publik. Këto ishin dhe dy elemente të cilat u kritikuan nga përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell gjatë konferencës së djeshme. Por kryeministri Berisha tha se “ekonomia shqiptare ka ditur të ecë dhe FMN-ja është gardiani i stabilitetit makroekonomik”. Kryeministri kërkoi dhe thjeshtim të procedurave për dhëniet e licencave dhe të lejeve për hapjen e bizneseve, që sipas tij nuk do të jepen më nga ministritë, por nga One-Stop-Shop-et.
FMN-ja kërkesë BSH-së, të bëjë kujdes me kreditë
Banka e Shqipërisë, sipas misionit të FMN-së, duhet të jetë e kujdesshme për rritjen e mbikëqyrjes në nivel rajonal përsa i përket sistemit të kredive. “Forcimi proaktiv i mbikëqyrjes dhe kuadrit rregullator duhet të ndihmojë në ngadalësimin e rritjes së kredive dhe duhet ndjekur në mënyrë të vazhdueshme”, - tha përfaqësuesi i FMN-së, Gerwin Bell. Sipas tij, rritja e fortë e kreditimit në të kaluarën mund të ketë ndikim, sidomos pas ngadalësimit me të cilin po përballet sektori i ndërtimit. Specifika e sistemit shqiptar, sipas tij, është shkalla më e lartë e operimit të konglomerateve të tjera në rajon. Nga ana tjetër ai theksoi se “miratimi i amendamenteve përkatëse të Kodit Civil është kyç për një ekzekutim më të mirë të kolateralit”. Ai vlerësoi se përfundimi i regjistrit të kredive kohët e fundit, është një hap i madh përpara për të ruajtur stabilitetin financiar. Nga ana tjetër, FMN-ja dhe BSH-ja i rekomandojnë qeverisë të jetë e kujdesshme me masat e saj për zbutjen e krizës globale të ushqimeve.
15 Maj 2008