Fullani: “Ekonomia shqiptare me një ekuilibër të qëndrueshëm”
Në përfundim të konsultimeve për Nenin IV dhe Misionit të Rishikimit të Marrëveshjes PRGF-EFF në Shqipëri, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vlerësoi se ekonomia shqiptare vazhdon të gëzojë një ekuilibër të qëndrueshëm. Sipas tij, “Banka e Shqipërisë, si autoriteti monetar i vendit, është maksimalisht e përkushtuar për të marrë vendimet e duhura, në përputhje me zhvillimet reale ekonomike, me qëllim “ankorimin” e inflacionit drejt nivelit të synuar, si dhe qëndrueshmërinë e stabilitetit financiar në vend”. Sipas tij, gjatë dy javëve të fundit, “BSH ka qenë pjesë e negociatave që autoritetet shqiptare kanë zhvilluar me Misionin e FMN-së, në kuadër të rishikimit të radhës së marrëveshjes të Shqipërisë me FMN-në, ku janë diskutuar disa prej problemeve të shfaqura në ekonominë tonë kohët e fundit”. Ai vlerëson se ndërprerja e kufizimeve masive dhe të gjata të furnizimit të energjisë ka influencuar pozitivisht procesin e prodhimit dhe të konsumit, në krahasim me gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas Fullanit, “energjia vazhdon të mbetet një problem delikat, dhe një nga rreziqet kryesore për aktivitetin ekonomik të vendit”. Guvernatori i BSH-së evidentoi se një zhvillim tjetër, që kërkon vëmendje të veçantë, është thellimi i deficitit të llogarisë korente. Mallrat ushqimorë, lëndët e para, por veçanërisht nafta dhe nënproduktet e saj, po njohin rritje të pandalshme në tregun ndërkombëtar. Megjithatë, rreziqet janë të vendosura edhe nga krahu i kërkesës dhe më së shumti, lidhen me zgjerimin e shpejtë të kredisë për ekonominë. Rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe masave të mundshme që autoritetet mund të ndërmarrin për të zbutur efektin e rritjes së çmimeve të mallrave ushqimorë. Në këtë drejtim BSH-ja gjykon të arsyeshme që të adoptohen masa që mundësojnë financimin e drejtpërdrejtë të njerëzve në nevojë.
“IPA-Adriatik” promovon objektivat e saj në Shqipëri
Ministria e Integrimit, Ambasada Italiane në Tiranë dhe Komisioni Europian kanë promovuar dje ditën informuese mbi programin europian të bashkëpunimit ndërkufitar “IPA-Adriatik 2007-2013”. Programi evropian, i cili ka të përfshirë tre vende të BE-së, Greqinë, Italinë dhe Slloveninë, ka promovuar qëllimet dhe objektivat e tij në Shqipëri, në një nga vendet potenciale për anëtarësim në programet e BE-së. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Helmut Lohan, tha se bashkëpunimi ndërkufitar është pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit që Bashkimi Europian po ofron. “Me këtë program, - tha Lohan, - ne po përpiqemi të forcojmë kontaktet njeri me njeri si tipar i rëndësishëm i integrimit”. Sipas tij, suksesi i këtij programi varet nga angazhimi i njerëzve dhe i institucioneve që do të zbatojnë këtë projekt. Presidenti i rajonit të Abruzos në Itali, Otaviano del Turco, u shpreh se “ky program do të shërbejë si një urë lidhëse politike, kulturore, sociale etj”. Sipas del Turco-s, ky program ka projekte ambicioze dhe çdo vend aspirant për në BE duhet të sillet dhe të zbatojë rregullat e saj. Ndërsa ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, tha se, “prjoekti synon të mbështesë procesin e stabilizim-asocimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Sipas tij, shteti italian rikonfirmon mbështetjen për institucionet dhe Shqipërinë drejt realizimit të ëndrrës europiane.
15 Maj 2008