E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fiera del Levante” sjell në Shqipëri epërsinë e kompanive italiane



Ervin Koçi

Epërsia e bizneseve italiane që synojnë të sjellin zhvillimin ekonomik në Ballkan duket se fillimisht do të stacionohet në Shqipëri. Këtë përqendrim të këtyre bizneseve edhe këtë herë e prezanton në vendin tonë “Fiera del Levante”, e cila këtë herë sjell një bum kompanish të fuqishme të sektorëve të ndryshëm ekonomikë në vendin tonë. Do të jenë mbi 100 ndërmarrje, kryesisht nga rajoni i Pulias, por dhe rajone të tjera, që për të tetën herë do të jenë prezente në Tiranë për tri ditë rresht në Pallatin e Kongreseve. Panairi që do të çel siparin e tij për këtë vit do të hapet më datë 20 maj, në orën 15:00 dhe do të zgjasë deri më 23 maj, duke qenë i ngjeshur me aktivitete të shumta. Në këtë panair do të ekspozohen të gjitha llojet e produkteve nga kompanitë italiane, duke filluar nga materiale elektrike, duke vijuar me sektorin kimik-industrial, deri te sektori agro-ushqimor apo mobilieria.

Sektorët dhe institucionet

Ekspozimi do të zhvillohet në zona tematike që mbulojnë të gjithë sektorët e përfshirë në zhvillimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera kufitare. Këto do të jetë në pranishëm sektorë të ndryshëm merceologjikë duke filluar që nga aksesorët e ndryshëm dhe rifiniturat e ndërtimit, për të kaluar te sistemet e sigurisë, materialet ndërtuese, shërbimet në ndërmarrje të ndryshme, deri te transportet, sistemet e ujitjes si dhe ato të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. Po kështu, shumë i madh do të jetë edhe numri i institucioneve dhe enteve që do të marrin pjesë në këtë panair. Të tilla do të jenë: Ministria e Politikave Bujqësore, Ushqimore dhe e Pyjeve të Italisë, krahina e Pulias nëpërmjet Përfaqësisë për Zhvillimin Ekonomik të Mesdheut, Unioni i Provincave të Pulias, Autoritetet portuale të porteve detare të Barit dhe Brindisit, Agjencia Krahinore e Higjienës e Pulias, Instituti Agronomik në Bari etj.

Shkëmbimi i eksperiencave

Panaire të tilla janë të vlefshme për të njohur dhe për të bashkëpunuar mes palëve nëpërmjet bizneseve dhe institucioneve të ndryshme. “Fiera del Levante”, në bashkëpunim edhe me institucione të ndryshme shqiptare, do të mundësojë në këtë takim edhe takime të veçanta sipas kërkesave të sipërmarrësve. Në këtë panair do të ketë shumë takime të personalizuara midis palëve të bizneseve të veçantë, sipërmarrësve dhe ndërmarrjeve. Asistenca për kooperim ekonomik midis ndërmarrjeve italiane dhe atyre shqiptare, do të realizohet nëpërmjet zyrave të ICE-së në Tiranë, nga Dhoma e Tregtisë Italo-Lindore dhe nga Dhoma Ligjore Puliezo-Shqiptare. Një stendë të veçantë në këtë panair do të ketë edhe Banka Italiane e Zhvillimit, me seli në Tiranë, si dhe revista italo-shqiptare “Porta e Ballkanit”. Në këtë panair një vend të veçantë do të zënë edhe bashkëpunimi midis dy universiteteve, atij të Studimeve të Barit dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Kjo eksperiencë ka lidhje me një bashkëpunim dypalësh mes këtyre universiteteve për shkencat e detit. Në këtë panair nuk do të mungojnë as work-shop-et mes bizneseve, konferencat e shtypit për firma të ndryshme, seminaret dhe aktivitete të tjera kulturore.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›