Bien në pranga dy hajdutë banesash
Policia e Lushnjës, pas një pune të mirorganizuar, ka arritur që të vërë në pranga shtetasin Proletar Hasanbelliu, 26 vjeç dhe Ervin Deda, bashkëmoshatar me të. Sipas burimeve policore lushnjare mësohet se këta dy shtetas në bashkëpunim kanë kryer një sërë vjedhjesh në banesa e dyqane të këtij qyteti. Pas një pune intensive dhe të kujdesshme të policisë kriminale dhe pas verifikimit të të gjitha provave të gjetura në vendngjarjet ku kishin ndodhur vjedhjet, është arritur që të përcaktohet se vjedhjet ishin kryer nga këta dy shtetas. Tashmë, dy bashkëmoshatarët Hasanbelliu dhe Deda do të dalin para drejtësisë për vjedhjet që kanë kryer në banesa e dyqane të këtij qyteti. Gjithashtu, grupi hetimor po punon për dokumentimin e veprave të tjera penale që mund të jenë kryer nga dy personat e arrestuar. Megjithatë, policia ia ka kaluar materialet hetimore prokurorisë së rrethit.