Aksidenti, plagoset rëndë motoçiklisti
Një aksident i ndodhur dje paradite në "Unazën e Plazhit" në qytetin e Durrësit ka rrezikuar t‘i marrë jetën një 25-vjeçari. Sipas policisë mësohet se aksidenti ka ndodhur pas përplasjes së një makine me një motoçikletë. Si pasojë e këtij aksidenti është plagosur rëndë drejtuesi i motoçikletës, i cili ndodhet aktualisht në spitalin rajonal. 25-vjeçari i plagosur, Aklin Stërmilli, është duke marrë ndihmën e bluzave të bardha, pasi gjendja e tij paraqitet e rëndë dhe në rrezik për jetën. Ndërkaq, burimet zyrtare nga policia e qytetit bregdetar kanë sqaruar rrethanat e aksidentit. Sipas tyre, automjeti tip "Benz", me targa DR1135D, i cili drejtohej nga 45-vjeçari Ilir Rugija, ka përplasur motoçikletën në të cilën ndodhej 25-vjeçari i plagosur Aklin Stërmilli. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësive të të dy drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident.