E Diel, 1 Nëntor 2026

Terror në Rinas, i dehuri kërcënon klientët e lokalit

Terror në Rinas! Një 28-vjeçar, i armatosur me kallashnikov, ka hyrë në një nga lokalet pranë aeroportit, duke frikësuar jo vetëm të pranishmit në lokal, por edhe kalimtarët e tjerë, të cilët do të udhëtonin me avion nga aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza". Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që uniformat blu, brenda një kohe të shkurtër, kanë mundur të neutralizojnë dhe të arrestojnë këtë person. Burimet policore bënë të ditur për "Shqip" se incidenti u shënua paraditen e djeshme në një nga lokalet që ndodhen pranë terminalit të Rinasit. Një person 28-vjeçar ka marrë armën e tij automatike, tip kallashnikov dhe duke e mbajtur në krah, ka hyrë në lokal. Të pranishmit, qoftë klientët, apo edhe stafi i lokalit, janë tmerruar nga ai, i cili është ulur për të porositur në një tavolinë. Menjëherë, dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë telefonuar numrin 129 të policisë, duke u treguar se një person i armatosur po qëndronte në një nga lokalet e Rinasit. Policia është alarmuar nga kjo ngjarje dhe menjëherë për aty janë nisur shërbimet e Komisariatit të Rinasit, të ndihmuara edhe nga forcat speciale. Fillimisht, policia ka menduar se i armatosuri kishte hyrë në ambientet e aeroportit, por shumë shpejt është saktësuar se ai ndodhej jashtë terminalit. Burimet policore shpjeguan në lidhje me këtë ngjarje, se me të mbërritur në vendin e adresuar nga dëshmitarët, kanë nisur negociatat me të armatosurin. Grupi i punës tha për "Shqip" se ai nuk ka pranuar të dorëzohet, por forcat speciale kanë arritur që në një kohë të shkurtër të bëjnë neutralizimin e tij. Shumë shpejt, i armatosuri, i cili është identifikuar me emrin Besnik Zela, e ka parë veten në pranga. Megjithatë, udhëtarët dhe të afërmit e tyre kanë ndjerë frikën nga prania e forcave të shumta të policisë, duke sjellë edhe një kaos në bllokimin e rrugës që të çon në terminalin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Policia tha në lidhje me këtë fakt se në një kohë të shkurtër, situata është normalizuar, si jashtë aeroportit edhe brenda. Ndërsa, grupi hetimor tha se 28-vjeçari i prangosur ka qenë në gjendje të dehur, kur e ka kryer këtë akt kriminal dhe nuk ka mundur të deklarojë asgjë për dokumentimin e veprës penale. Nga ana tjetër, agjentët e policisë shpjeguan se arma automatike ishte e mbushur në momentin e bllokimit të saj. Sipas policisë, po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›