E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i trafikut: 2 mijë euro personi për në Itali

Shtatë persona kanë përfunduar në pranga të policisë, pasi akuzohen për organizim të trafikut të qenieve njerëzore. Arrestimi i tyre është realizuar gjatë operacionit të koduar "Rruga e Vjetër", i cili u organizua nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim edhe me forcat operacionale të Policisë së Shtetit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se ditën e djeshme, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është finalizuar operacioni i koduar "Rruga e vjetër" për kapjen dhe ndalimin e shtatë personave. "Në pranga përfunduan Besmir Shanaj, 21 vjeç, Sotir Veshi, 26 vjeç, Vendim Bejaj, 19 vjeç, dhe A. M., 17 vjeç, të gjithë banues në Vlorë, dhe të padënuar më parë. Veç këtyre, policia arrestoi edhe shtetasit Sofokli Ymeri, 55 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Sarandë, me arsim të lartë, i padënuar më parë, Bilal Boci, 42 vjeç, lindur dhe banues në Delvinë, dhe Ardian Beqiri, 38 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ndërkaq, uniformat blu që morën pjesë në operacion, shpjeguan se arrestimi i këtyre personave është bërë pasi gjykata kishte dhënë masën e sigurisë "burg pa afat". Sipas informacioneve, Gjykata e Vlorës, më datën 27.03.2008 ka caktuar masën e sigurimit "arrest me burg" për veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit", parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Nga hetimet 6-mujore, të shtrira në rrethet Kukës, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Fier, Gjirokastër dhe Vlorë, ky operacion ka goditur një rrjet të mirëfilltë të trafikimit të klandestinëve përmes përfitimeve të paligjshme deri në dymijë euro. Sipas informacioneve të grupit hetimor, aktiviteti kriminal i personave të arrestuar shtrihej në tri linja. Një nga linjat e trafikut fillonte me Kukës-Shkodër-Tiranë-Fier-Vlorë dhe deri në Sarandë. Linja e dytë përfshinte qytetet Lushnjë-Fier-Patos-Gjirokastër dhe Sarandë. Ndërsa linja e tretë kishte të bënte me qytetet Elbasan-Peqin-Rrogozhinë-Fier-Vlorë-Sarandë. Pra, të gjitha këto drejtime të lëvizjes së klandestinëve kanë pasur si qëllim hyrjen nga Shqipëria në territorin e shtetit grek dhe më pas në vende të tjera të Komunitetit Evropian. Materiali hetimor për këtë çështje është dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku vazhdojnë hetimet për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë aktivitet kriminal. Ndërkohë, policia tha se operacioni ka vazhduar edhe gjatë natës së djeshme me kontrollin e banesave të shtatë personave të arrestuar. Sipas policisë, operacioni u quajt "Rruga e Vjetër", për shkak të linjës që ndiqnin organizatorët e trafikut për të kaluar emigrantë të paligjshëm drejt Greqisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›