E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jetimëve të familjes Cani do t‘u ndërtojmë shtëpinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga disa deputetë të grupit parlamentar, ka vizituar dje një prej familjeve më të prekura nga tragjedia e Gërdecit, që jetonin në fshatin Moçaj. Nga kjo tragjedi kanë mbetur të vrarë bashkëshortët Shefqi dhe Bukurie Cani, të cilët punonin në fabrikën e çmontimit të municioneve, duke lënë jetimë tre fëmijë. Si pasojë e këtij shpërthimi të fuqishëm, që ka ndodhur më 15 mars, është shkatërruar krejtësisht edhe shtëpia ku ata banonin, e cila ishte në ndërtim e sipër. Gjatë takimit me fëmijët jetimë, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka mësuar nga goja e tyre se tashmë tragjedia në këtë familje ishte edhe më e madhe, pasi ndiheshin të braktisur dhe se nuk kanë asnjë të ardhur për të rindërtuar sërish shtëpinë e tyre. "Nuk kam asnjë lloj ndihme", është shprehur një nga fëmijët gjatë takimit me kryetarin e PS-së, Rama. Por pas këtij rrëfimi të dhimbshëm, kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka bërë të ditur tre fëmijëve që tashmë kanë mbetur jetimë se do të ndihmoheshin nga PS-ja, sidomos për rindërtimin e shtëpisë së tyre. "Janë shumë familjet e dëmtuara, janë shumë nevojat, por në radhë të parë familjet që kanë humbur njerëz dhe jetimët, që nuk kanë asnjë mundësi të vazhdojnë jetën, duhen ndihmuar me urgjencë. Ne morëm përsipër së bashku me njerëzit tanë sipërmarrës, që t‘u lehtësojmë të ardhmen këtyre tre djemve të mbetur pa prindër", është shprehur Rama. Më tej ai ka theksuar se shtëpia për të cilën kanë zbritur nga larg, nga malet e Martaneshit dhe për të cilën u vranë prindërit, ka mbetur pa çati, ndërkohë që shtëpia që kanë me qira është e përkohshme dhe duhet të dalin në fund të prillit. "Ne me mundësitë tona modeste dhe me angazhimin e drejtpërdrejtë të një përfaqësuesi në Parlament të partisë sonë, që është edhe sipërmarrës, do t‘i ndihmojmë që të hedhin çatinë, të hyjnë brenda dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të ndërtojnë familjet e tyre, të ndërtojnë jetën e tyre", ka deklaruar kryetari i PS-së, duke shtuar se kjo nuk është zgjidhje për të gjithë. Ne, tha Rama, nuk kemi mundësi të zgjidhim problemet e të gjithëve, sepse ne jemi sot për të ngritur zërin, në emër të të gjithëve në adresë të qeverisë, që duhet ta bëjë këtë punë. Por nga ana tjetër nuk mund të rrimë duarkryq dhe do të bëjmë gjithçka mundemi nga ana jonë për të impenjuar njerëz, për të impenjuar ndihma, për të impenjuar sipërmarrës, që të bëjmë sa të mundemi. Nga shpërthimi i Gërdecit kanë vdekur 23 persona, janë plagosur rreth 300 të tjerë dhe janë dëmtuar mbi 3 mijë shtëpi. Pasuria dhe djersa e këtyre banorëve, të cilët prej vitesh kanë punuar dhe janë përpjekur të krijojnë një jetë më të mirë sesa në zonat malore ku kanë pas jetuar, nga shpërthimi i Gërdecit u shndërruan në hi në pak minuta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›