E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucionet vihen në lëvizje për shmangien e tragjedive, mbyllen tri gurore në Korçë

Masat për parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe pasurinë e komunitetit janë kthyer në shqetësimin kryesor të institucioneve vendore. Ditët e fundit, thuajse në të gjitha qendrat e prefekturave të vendit janë mbledhur shtabet e emergjencës, për të përcaktuar objektet e rrezikshme dhe për të marrë masat për eliminimin e rreziqeve. Autoritetet vendore në Korçë kanë vendosur të mbyllin tri gurore, që rezultonin të rrezikshme për banorët, ndërsa në Elbasan, me nismën e një deputeti të mazhorancës, është ngritur një Shtab i Mbrojtjes Civile.

Mbyllen tri gurore në Korçë

Tri gurore në Korçë kanë marrë së fundi vendimin e pezullimit të aktivitetit si pasojë e shpërthimeve që rrezikojnë banorët dhe shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave nga ana e Prefekturës së Korçës, janë mbyllur përfundimisht tri aktivitete të tilla në Lumalas dhe në Moravë, pasi nga inspektimet u konstatua se kishin mangësi në dokumentacion, nuk dispononin lejen e shfrytëzimit, ndërsa nga ana e specialistëve rezultoi se shkaktonin ndotje të madhe mjedisore dhe kishin përdorim të tepërt të lëndëve plasëse, jashtë parametrave dhe normave të lejuara. Pas ankesave që ishin drejtuar shpesh ndaj organeve të pushtetit vendor lidhur me këto aktivitete, është bërë e ditur se së fundi është bërë pezullimi i tyre, pasi ishin dënuar më parë me gjoba, por nuk kishin përmirësuar situatën. Në një takim të mëparshëm nga ana e prefektes Elfrida Zefi u pa e nevojshme që për këto probleme të ngrihet edhe Shtabi i Emergjencave Civile. Nga takimi zyrtar pas verifikimeve në terren rezultoi se Korça rrezikohet nga digat, guroret dhe pikat e karburanteve. Këto sipas autoriteteve vendore janë rrezik serioz për jetën e banorëve në juglindje të vendit. Sipas të dhënave të grumbulluara deri më tani në pesë rrethet e zonës juglindore, ka rezultuar se banorët rrezikohen nga prania e digave të ujëmbledhësve, nga plasjet dhe shpërthimet pa kriter të guroreve, por edhe nga prezenca e pikave të tregtimit të karburanteve dhe të gazit të lëngshëm në qytete. Të konsideruara si aktivitete me risk të lartë, këto të fundit kanë detyruar Shtabin e Emergjencave Civile të bëjë gati një plan masash parandaluese për shpërthime që mund të vënë në rrezik jetën e popullatës. Sipas të dhënave që ka siguruar institucioni i prefektit, amortizimi i digave në shumë fshatra përbën rrezik për përmbytje, edhe për shkak të mungesës së investimeve në to dhe të mirëmbajtjes. Sipas Shtabit të Emergjencave me risk më të lartë ndaj përmbytjeve paraqiten zonat rurale si Cemerica, Këmbëthekra, Helmësi etj. Këto janë verifikuar gjatë kontrolleve në terren, ndërsa sipas prefektes Elfrida Zefi do të kërkohen fonde për mirëmbajtjen e tyre.

Elbasani me Shtab të Mbrojtjes Civile

Ngjarja tragjike e Gërdecit ka bërë që të mblidhen kokë më kokë krerët e pushtetit vendor në Qarkun e Elbasanit. Takimi i djeshëm i nisur nga deputeti i Partisë Demokratike për Elbasanin, Aurel Bylykbashi, ka ulur në një tryezë të rrumbullakët kreun e bashkisë, prefektin, kreun e Këshillit të Qarkut, drejtorin e policisë si dhe përfaqësues të lartë të ushtrisë, Tatimeve, SHISH-it dhe institucioneve të tjera me rëndësi për parandalimin e ngjarjeve që rrezikojnë jetën e komunitetit. Thelbi i diskutimeve ka qenë rreth masave paraprake të subjekteve të ndryshme private e shtetërore, aktiviteti i të cilave, në mungesë të masave të sigurimit teknik, mund të rrezikonte jetën e qytetarëve. Sipas përfaqësuesit të ushtrisë, kolonel V.Karoli, me masat e marra në të gjitha depot dhe tunelet me armatime dhe municione të ndryshme luftarake, nuk ka asnjë rrezik për jetën e civilëve, ndërkohë që Karoli ka sjellë si shembull tepër pozitiv punën e madhe të demontimeve të prodhimeve ushtarake në Mjekës dhe Çekin të Gramshit, në të cilat nuk është regjistruar asnjë incident gjatë çmontimit të miliona predhave dhe municioneve të kalibrave të ndryshëm. Si problem shqetësues për jetën në bashkësi, janë përcaktuar ndërtimi i karburanteve përgjatë rrugës Elbasan-Metalurgjik, të cilat rezultojnë gati të gjitha në qendra të banuara, si dhe tri pikat kryesore të tregtimit të gazit në qytet, që punojnë me bombola të vjetra, jashtë kushteve të sigurisë teknike dhe me persona pa njohuritë më elementare të këtij procesi. Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse kanë vendosur ngritjen e Shtabit të Mbrojtjes Civile në qark, anëtarë të të cilit do të jenë vetë ata. Veprimtaria institucionale e këtij shtabi do të nisë që ditën e sotme në aksione konkrete të përbashkëta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›