Bien në pranga hajdutët e pasqyrave të makinave
TIRANE - Policia e Tiranës ka vënë dje në pranga dy të rinj, të cilët janë kapur në flagrancë teksa po vidhnin kasetofonin e një "Benzi", ndërkohë pas dërgimit të tyre në qelitë e izolimit ka rezultuar se ishin autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera, kryesisht pasqyra të mjeteve luksoze. Kështu sipas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit, efektivët e komisariatit numër një kanë prangosur në flagrancë 25 vjeçarin Klodian Beba, lindur dhe banues në Tiranë. "Arrestimi i tij u bë sepse në mesditë në rrugën "Petro Nini Luarasi", është kapur në tentativë, duke vjedhur kasetofonin në mjetin tip "Benz", me targa TR 9623 E, në pronësi të një shtetasi. Gjithashtu Beba, në bashkëpunim me 23 vjeçarin Fabian Bata, dyshohen se janë autor të 5 vjedhjeve", pohon policia, ku thotë se ata kanë vjedhur më 7 nëntor të vitit të kaluar kasetofonin e një veture tip "Ford Fiesta", në rrugën "Ali Demi", ndërsa një ditë më parë kishin vjedhur kasetofonin e një "Opel Korsa" në rrugën "Mihal Grameno". Më 18 janar të këtij viti, në rrugën "Ali Visha", dy të arrestuarit dyshohet se kanë vjedhur pasqyrat në mjetet me targa TR 2915 S dhe VL 8019 C. Policia pohoi se materialet në ngarkim të tyre do t'i kalojnë prokurorisë, për veprat penale "vjedhje e mbetur në tentativë" dhe "vjedhje në bashkëpunim më shumë se një herë", në ngarkim të Bebës, ndërsa Bata, po hetohet në gjendje të lirë. f.m.