E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i pistoletave, malazezi në burg, armët shkonin në Greqi

 TIRANE - Nazim Ljikoviç, shqiptari nga Mali i Zi, i akuzuar për trafikimin e 10 pistoletave do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë që para gjykatës ai ka pohuar se pistoletat kishin si destinacion shtetin grek dhe se ato i ishin vendosur në automjet nga shtetas kosovarë. Burime pranë Gjykatës për Krimet e Rënda bënë të ditur se Nazim Ljikoviç u paraqit dje para gjykatës për Krimet e Rënda për vlerësimin e arrestit ndaj tij dhe për caktimin e masës së sigurisë. Gjyqtarja e gatshme, Nertina Kosova, pasi është njohur me pretendimet e palëve vlerësoi si të rregullt arrestimin e Ljikoviçit dhe caktoi për të masë sigurie "arrest me burg", pa afat. Burime pranë seancës, sqaruan se vetë i pandehuri ka pohuar se pistoletat do të shkonin në Greqi, ndërsa ai ishte paguar vetëm si transportues i tyre.  Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se Ljikoviç kishte pranuar para prokurorëve se ai ishte vetëm "korrier" i pistoletave dhe se ai nuk e dinte se kush ishin pritësit e "mallit". Nazim Ljikoviç, 32 vjeç, nga fshati Krajë i Komunës Tivar, u arrestua mesditën e së enjtes nga oficerët e Krimit të Organizuar të Policisë së Shkodrës gjatë operacionit të koduar "Mysafiri". Ndalimi i Ljikoviç u realizua në periferi të qytetit, teksa ai ishte duke lëvizur me automjetin e tij tip "Golf", brenda të cilit u zbuluan armët. Pas ndalimit policia gjeti të fshehura në pjesë të ndryshme të brendshme të automjetit të tij 10 pistoleta të llojit "Ekol-Special 99", të prodhuara në Turqi. Gjithashtu në automjet u gjetën edhe një sasi prej 2100 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Menjëherë pas arrestimit dosja në ngarkim të tij iu dërgua për kompetencë prokurorisë për Krimet  e Rënda. Sipas prokurorisë, kjo është shuma fillestare me të cilat është paguar Ljikoviçi për transportin e armëve, ndërkohë që pas dorëzimit të "pakos" ai do të merrte të tjera. Aktualisht mbi shqiptaro-malazezin rëndojnë akuzat e "trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake", si dhe "falsifikimit të monedhave".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›