Rreh komshiun me gurë, arrestohet 34-vjeçari
TIRANE - Rrahu një 59-vjeçar arrestohet i riu nga kryeqyteti. Policia e Tiranës ka vënë në pranga 34-vjeçarin Haki Karoshi, lindur në Dibër dhe banues në lagjen Shkozë të kryeqytetit. Arrestimi i tij u bë mbrëmjen e së premtes nga specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, pasi dyshohet se rreth orës 15:00 të asaj dite në vendin e quajtur ish-Uzina e Traktorëve në Shkozë, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta dhe gurë në pjesën e kokës duke e plagosur rëndë 59-vjeçarin M. çajkri, me banim në Kamëz. Blutë e kryeqytetit pohuan se viktima dhe autori ishin grindur fillimisht me fjalë mes njëri tjetrit, ndërsa 34 vjeçari duke përfituar nga fakti që ishte më i ri në moshë ka qëlluar disa herë me grushte dhe shkelma në drejtim të viktimës 59 vjeç. Por duke mos u mjaftuar nga kjo ai ka vazhduar përleshjen me të moshuarin duke e rrëzuar fillimisht përtokë dhe pasi ka rrëmbyer një gur që ndodhej aty e ka qëlluar disa herë viktimën në kokë dhe trup duke i shkaktuar plagë të rënda. Si pasojë e plagëve serioze dhe të shumta i dëmtuari është dërguar në Spital ku po merr mjekime. Policia pohoi se pas prangosjes së tij u kryen veprimet procedurale dhe se materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të "plagosjes së rëndë me dashje", parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal. f.m.