E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të rritet vigjilenca, nisi pandemia e gripit të derrave”

 

ZIRINA LLAMBRO

Virusi i gripit të derrave do godasë fuqishëm në shtator. Më shumë të prekur e më shumë viktima. E rrezikuar njësoj si vendet e tjera është edhe Shqipëria. Ky është konkluzioni i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila dy ditë më parë shpalli situatën pandemike në botë prej virusit A-H1N1. Menjëherë pas këtij vendimi Ministria e Shëndetësisë mblodhi dje komisionin e pandemisë, i cili do të vlerësojë situatën në mënyrë që të merren masat e nevojshme. “Do të rritet vigjilenca, ndaj rasteve që mund të dyshohen, por nuk do të ketë izolim të njerëzve jashtë vendit, apo hyrje të shtetasve në Shqipëri”, u shpreh drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli. Sipas tij, aktualisht në vendin tonë nuk ka asnjë rast të konfirmuar. “Në momentin që do kemi raste të konfirmuara do fillojmë gradualisht të zhvendosim burimet, nga kapja e hershme, nga kufijtë drejt kurimit të rasteve”, tha Alban Ylli. Përfaqësuesi i OBSH-së në vendin tonë, Anshu Banerje, theksoi se edhe pse Shqipëria nuk ka shënuar asnjë rast me virusin H1N1, duhet të përgatitet për çdo situatë, në veçanti dy muajt e ardhshëm kur edhe fluksi i turistëve e emigrantëve është më i lartë. Sipas Banerje, masat e marra janë më ta mirat dhe ndërkohë, monitorimi do të vazhdojë. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve se në rast se kanë simptoma të gripit të zakonshëm, duhet të drejtohen në qendrat shëndetësore. Sipas tij, medikamenti tamiflu do të përdoret vetëm për personat, të cilët kanë temperaturë mbi 38 dhe që mjekohen në spital, pasi nuk duhet të ketë harxhime të mëdha. “Deri tani rastet e rënda përbëjnë vetëm 1% të së sëmurëve. OBSH ka shpallur fazën e 6-të të pandemisë, pasi numri i të prekurve i ka kapërcyer kufijtë e Amerikës, Kanadasë dhe Meksikës”, tha Banerje.

Bilanci, janë prekur 30 mijë vetë

Numri i vendeve të prekura nga virusi A (H1N1) ka arritur në 74. Janë plot 29,669 raste të prekura me këtë virus. Të dhënat vijnë nga raporti që Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri publik dje. Rritja e rasteve ka detyruar kështu OBSH-në të rrisë shkallën e pandemisë në nivelin 6, që është dhe shkalla më e lartë që përdoret në raste të tilla. Kalimi në fazën 6 reflekton faktin se sëmundja po merr një shtrirje të madhe gjeografike. Meksika, vendi ku dhe u shfaq rasti i parë me virusin A (H1N1), është dhe më i prekuri, me 108 vdekje. Ndërkohë, numri i të prekurve nga ky virus në Meksikë është në total 6241. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar deri tani 13,217 raste në total, nga të cilat 27 vdekje. Ndërkohë, vihet re përhapje në Australi me 1,307 raste të konfirmuara, por me asnjë vdekje deri tani. Në aeroporte dhe pikat e tjera kufitare është rritur ndjeshëm vigjilenca, për të zbuluar në kohë personat e infektuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›