Rezulton prej tre ditësh e zhdukur në rrethana misterioze, familja kryen denoncimin
Cërrik – Prej katër ditësh, një 19-vjeçare nga një fshat i Elbasanit, rezulton e zhdukur. Santiola Isaku, 19 vjeçe, banuese në Malasej të qytetit Cërrik është larguar nga banesa katër ditë më parë dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e saj. Familjarët kanë denoncuar në polici zhdukjen e vajzës, duke rrëfyer detajet e largimit të saj. Gjatë dëshmisë së tyre në policisë, familjarët e 19-vjeçares treguan ajo është larguar nga shtëpia rreth orës 09:00 të mëngjesit të katërditëve më parë dhe nuk është kthyer më në banesë. Vajza nuk ka lënë asnjë shënim dhe nuk ka asnjë kontakt me telefon, për të lajmëruar familjen e saj për vendndodhjen. Ndërkohë që vonesa e tepruar e kthimit në banesë ka detyruar familjarët e Santiolës të nisin kërkimet te të afërmit dhe te shoqet e saj, por askund nuk kanë rënë në gjurmët e vajzës, gjë e cila ka detyruar babain e saj Asllan Isaku 53-vjeç të kërkojë ndihmën e policisë. Policia ka njoftuar disa nga komisariatet e vendit dhe pikat kufitare të cilave u janë dorëzuar edhe fotot e vajzës. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e largimit me dëshirë apo për zbulimin e rrethanave të zhdukjes së 19-vjeçares.
Skamja dhe vdekja e bashkëshortit e çuan drejt vetëvarjes nënën e 7 fëmijëve
Gramsh – Var veten në kasollen e shtëpisë, nëna e shtatë fëmijëve. Ngjarja ndodhi në fshatin Kodovjat të Gramshit kur 58-vjeçarja Behije Seda ka varur veten me litar në kasollen në oborrin e shtëpisë. Nëna e shtatë fëmijëve u gjet u varur në litar paraditen e djeshme nga familjarët e saj të cilët nuk ka bërë asgjë për ta shpëtuar pasi ajo kishte ndërruar jetë. Sipas familjarëve të saj, 58-vjeçarja dyshohet të ketë planifikuar vetëflijimin, pasi ajo ka pritur që ata të largohen nga shtëpia moment të cilin e ka shfrytëzuar për ti dhënë fund jetës. Oficerët e Komisariatit të Policisë së Gramshit mbërritën në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e këtij vetëflijimi. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se shkaku që ka detyruar gruan ti japë fund jetës mund të ketë qenë gjendja depresive në të cilën ajo ndodhej. Bazuar nga deklarimet e të afërmve të familjes Seda, 58-vjeçarja kishte humbur bashkëshortin e saj dhe që nga ajo kohë kishte shfaqur shenja të depresionit, ndërsa ajo vuante edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në të cilën ndodhej familja e saj.
Arrestohet në Aeroportin e Rinasit i dënuari për vrasje
Tiranë - Policia e Rinasit ka arrestuar një të dënuar për vrasje menjëherë sapo ai është deportuar nga shteti italian. Ilmir Hajdari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte i dënuar në mungesë me 16 vjet burg nga gjykata. Ai akuzohet për një ngjarje që ka ndodhur në Shkodër në vitin 2001. Sipas pretendimeve të prokurorisë para gjykatës Ilmir Hajdari së bashku me dy shokë të tij akuzohet të jetë autor i vrasjes së Indrit Bajrit, ngjarje e regjistruar nga policia në lagjen “Partizani” në Shkodër. Vrasja e Bajrit ka ndodhur pas një konflikti të mëparshëm me Ilmir Hajdarin. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, njëri nga shokët e Ilmir Hajdarit u plagos dhe pasi mori mjekimin në spitalin civil u arrestua duke pohuar më pas edhe krimin.
11 Qershor 2009