E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet Koka, blinte dhe shfrytëzonte moldave për prostitucion në Itali



Tiranë – Një i ri shqiptar që blinte femra dhe i shfrytëzonte më tej për prostitucion, është ekstraduar dje, bëjnë të ditur për gazetën “Albania”, burime zyrtare nga Interpol Tirana. Dashamir Koka, 33 vjeç, lindur në Durrës, u ekstradua dje në orën 11:00, nga Roma e Italisë drejt Shqipërisë. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin nr. 394, datë 13 korrik 2006, e ka dënuar 33-vjeçarin Dashamir Koka, me 7 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Burime nga Interpoli, i thanë gazetës, se nga hetimet e kryera dhe shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar akuza e trafikut të prostitucionit. “Dashamir Koka, gjatë periudhës kohore Maj 2000 deri në Shkurt të vitit 2003, pasi ka blerë shtetasen moldave A. D. nga shtetas të tjerë shqiptarë, e ka trafikuar dhe shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në territorin italian”, - thanë për gazetën burime nga Interpol Tirana. Të njëjtat burime sqaruan se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën më datën 1 tetor 2008, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i të riut durrsak, Dashamir Koka.

Arrestohet gruaja, bënte seks kundrejt shumës prej 1000 lekësh

Tiranë – Një 42-vjeçare është arrestuar nga policia pasi u kap teksa bënte seks kundrejt pagesës në një hotel në Tiranë. Burime zyrtare nga policia thanë për gazetën “Albania” se dje oficerët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme kryen arrestimin në flagrancë të 42-vjeçares me iniciale M. T. lindur në Memaliaj Tepelenë dhe banues në Tiranë, e proceduar më parë. Sipas policisë, arrestimi i saj u krye sepse dje rreth orës 13:30, u kap në flagrancë duke ushtruar prostitucion, kundrejt shumës së parave prej 10 000 lekë, në ambientet e hotel “Drilon”, që ndodhet në rrugën “Naim Frashëri” në Tiranë. Burimet policore thanë se kishin siguruar më parë në rrugë operative informacione se M. T. kryente aktivitetin e saj në ambientet e këtij hoteli. Kështu pas vëzhgimeve policia ndërmori një operacion i cili përfundoi me arrestimin e gruas që kryente seks kundrejt parave. Ndaj saj u mor masa e arrestit për veprën penale të “Prostitucionit”.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›