E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasje e dyfishtë në Lushnjë, burri vret gruan e më pas veten



LUSHNJË- Krimi i rëndë brenda familjes trondit qytetin e Lushnjës. Një 43-vjeçar ekzekuton gruan e tij dhe më pas vret edhe veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen Sarave në periferi të Lushnjës.
Ngjarja
Burime policore thanë se 43-vjecari Bajram Koreshi ka qëlluar gruan me armë duke i shkaktuar plagë të rënda bashkëshortes së tij Adelina Koreshi dhe më pas ka vrarë dhe veten. Mësohet se e shoqja është plagosur rëndë dhe është dërguar menjëherë në spital, por nuk i mbijetoi dot plagëve të rënda ku humbi dhe jetën, kurse 43-vjeçari vdiq menjëherë. Ndonëse janë të paqarta motivet e vërteta të kësaj ngjarje të rëndë mësohet se krimi ka ndodhur pas një grindje mes çiftit dhe ka përfunduar në një tragjedi të dyfishtë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po heton mbi rrethanat e saj. Në momentin e krimit mësohet se në banesë ka qenë edhe një nga fëmijët e çiftit. Policia dyshon se 43-vjeçari vuante nga depresioni.
Dhuna në familje
Dhuna në familje, për gjashtë muajt e fundit ka goditur 852 viktima. Shifra alarmante për këtë fenomen bëhet e ditur nga drejtuesit e Ministrisë së Punës dhe asaj të Brendshme. Por, pavarësisht shifrës reale të dhunës në familje, drejtuesit e dy ministrive të mësipërme, kanë deklaruar se fenomeni është ulur ndjeshëm. Kjo, sipas zëvendësministres së Punës, Marjeta Zaçe, ka ardhur si pasojë e kuadrit ligjor, që mbron të dhunuarit, duke i nxitur ata për të denoncuar rastet. “Nuk është thjesht se kemi rritje të fenomenit të dhunës. Aktualisht janë ndërgjegjësuar, opinioni publik, për të denoncuar dhunën dhe tashmë ata janë të bindur që ka një mbrojtje ligjore që ua siguron këtë”,- shprehet Zaçe. Ndërsa sipas zëvendësministres së Ministrisë së Brendshme, Iva Zajmi, është ulur trafikimi i jashtëm i qenieve njerëzore, por është shtuar ndjeshëm, fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve në punë. Qytete si Tirana apo Vlora, kanë dhe shifrat më të larta. “Ka një rënie të trafikimit të jashtëm, por ka një vëmendje më të madhe dhe një intensifikim të shfrytëzimit të brendshëm të punës së detyruar të fëmijëve”, - tha Iva Zajmi. Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të projektit për mbështetjen e qendrës së re të grave “Hëna e re” në Elbasan, e cila ju jep mbështetje femrave të dhunuara. Ky projekt është financuar nga Ministria e Jashtme italiane.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›