Humbet kontrollin e fuoristradës aksidentohet drejtuesi i mjetit
Pogradec – Policia e Pogradecit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave te qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal në ngarkim të 49-vjeçarit Beqir Abrashi, banues në Pogradec, pasi duke udhëtuar me mjetin e tij tip “Land Rover” fuoristradë me targë PG 4558 B, në segmentin rrugor Pogradec-Kalivash, ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe si pasojë ka marrë dëmtime fizike. Burime policore bëjnë të ditur për gazetën “Albania”, se tashmë Abrashi ndodhet për mjekim në spitalin e qytetit të Pogradecit jashtë rrezikut për jetën.
Gjendet i vetëvarur me litar, policia: Nuk duronte dot dhimbjet e sëmundjes
Shkodër – Nuk ka duruar dot dhimbjet e sëmundjes i jep fund jetën në mënyrën më tragjike të mundshme. 60-vjeçari Isuf Mehmetaj është gjetur i vetëvarur me litar, në një pemë të oborrit të tij, në lagjen “Ahmet Haxhia” të qytetit të Shkodrës. Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania”, i linduri në fshatin Reç të Malësisë së Madhe, mund ta ketë marrë një vendim të tillë, i shtyrë nga fakti se kohët e fundit vuante nga kriza të forta të dhimbjes të stomakut, të cilat mund të kenë shtyrë drejt vetëflijimit. Megjithatë policia po heton për të realizuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mbytet aksidentalisht në liqenin e Fierzës 19-vjeçari
KUKES- Një 19- vjeçar është mbytur në liqenin e Fierzës, në rrethin e Kukësit. 19-vjeçari nga fshati Shtiqën në Kukës ka gjetur vdekjen në ujërat e këtij liqeni, ndërsa kishte shkuar të lahej me 4 shokët e tij. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme kur maturanti me mbiemrin A. Muja është mbytur pasi është zhytur në thellësinë prej 10 metrash. Sipas dëshmitarëve shokë të tij, pohohet se 19-vjeçari nuk dinte not dhe zhytja në thellësi ka qenë fatale për të. Kanë qenë shokët, të cilët kanë nxjerrë nga uji trupin e pajetë të 19-vjeçarit duke njoftuar më pas dhe policinë e cila ka mbërritur në vendngjarje.
11 Qershor 2009