Bienalja ringjall Hotel "Dajtin"
Alma Mile
I heshtur prej vitesh, më në fund pak gjallëri edhe për Hotel "Dajtin". Më 18 shtator ngre siparin Bienalja e Tiranës. E vonuar 2 vjet në kohë, kjo ngjarje premton shumë këtë vit. Joshja e parë është vendi ku do të zhvillohet, Hotel "Djati", për të vijuar me titullin filozofik "Efiçenca simbolike e të parit", deri te kuratorët e artistët pjesëmarrës. Një nga organizatorët, kuratori Edi Muka, tregon mbi këtë edicion të katërt të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës.
Pas katër vitesh, rikthehet Bienalja e Tiranës, pse kaq vonë?
Ana financiare do të mbetet një problem serioz, jo vetën për Bienalen e Tiranës, por dhe të tjera aktivitete me këto përmasa. Gjithsesi propozimi për këtë edicion është pritur shumë mirë, si nga artistët, ashtu dhe kompanitë e biznesit që na kanë mbështetur. Do përmendja Ambasadën Austriake, e cila ka angazhuar gjithë biznesin austriak për të na ndihmuar. Pritshmëria është më e madhe këtë vit. Edicioni i fundit u prit shumë mirë, kështu që kërkesat janë edhe më të mëdha, sa i përket organizimit dhe teknologjisë. Ajo çka na gëzon është reagimi i artistëve, të cilët e kanë quajtur shumë të rëndësishme pjesëmarrjen në Bienalen e Tiranës, pavarësisht se nuk do të marrin pagesë dhe buxhetet nuk janë të tilla, për të realizuar punë të mëdha. Tirana është një kontekst interesant për artistët, të cilët ende kanë kuriozitet për ta parë dhe punuar mbi të. Puna ka filluar prej disa kohësh dhe tanimë është mbyllur lista e pjesëmarrësve. Kuratorët kanë ardhur disa herë në Tiranë dhe është bërë me ta një punë intensive. Partner kryesor është Ministria e Punëve të Jashtme, që ofron ambientet e saj, pasi kësaj here bienalja zhvillohet në ambientet e Hotel "Dajtit".
Mbi ç'koncept ngrihet Bienalja 2009?
E gjithë bienalja do të realizohet nën titullin "Efiçenca simbolike e të parit". Është një citim nga një libër i filozofit slloven Sllavo Zhizhek, që quhet "Këndvështrimi parallaksit", një fjalë greke që nuk përkthehet, por që kupton ndryshimin që pëson një objekt kur ndryshon këndin e vështrimit. Lidhet me teza shumë të vjetra që nga grekët e lashtë, sipas të cilëve njeriu e ka të pamundur të krijojë një marrëdhënie me thelbin e realitetit. Për të vendosur këtë marrëdhënie, njeriu kornizon pjesë të ndryshme të tij dhe kornizat mund të jenë politike, sociale, ekonomike, kulturore, etj. Këtë bëjnë edhe artistët. Kornizojnë aspekte të ndryshme të realitetit, për të bërë të mundur gjëra që i kemi para syve, por nuk i shohim. Këtë filozofi ne e vëmë në jetë tek Hotel "Dajti", që është korniza perfekte, si nga aspekti historik, ashtu edhe arkitektonik.
Përse pikërisht Hotel "Dajti"?
Ai u krijua në një kohë të caktuar, si simbol i një ideologjije të caktuar, fashizmit, që shprehej përmes arkitekturës racionale, që është forma e hotelit. Kur u ndërtua ishte koha kur italianët donin të impononin një sistem të ri, që përplasej me atë ekzistues në Shqipëri, me bulevardin, ndërtesat përreth tyre. Ishte ideja e perandorisë së re dhe modernizmit që po hynte përmes fashizmit, ideologji që u ruajt dhe pas luftës, në kohën kur e morën komunistët pushtetin dhe e përdorën për të njëjtat arsye. Për të ruajtur madhështinë e prezantimit, për shfaqur një lloj standardi. Aty mblidheshin gjithë delegacionet e huaja dhe turistët, por shqiptarët nuk lejoheshin të hynin. Më pas u kthye në një hotel, duke u degraduar dhe pritet tashmë të kthehet ndoshta në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kjo histori dhe arkitektura që ka, të jep dorë për të formuluar konceptin, të ftojmë kuratorët dhe t'ia paraqesim artistëve, të cilët janë treguar shumë të interesuar për të marrë pjesë.
Cila do të jetë struktura e edicionit të sivjetshëm?
Do të ruajmë strukturën e edicionit të kaluar, me disa episode njëri pas tjetrit. Duke pasur një numër ngjarjesh, vëmendja është me madhe dhe eliminohet fenomeni i ofrimit të diçkaje të stërmadhe, e cila jepet e gjitha menjëherë dhe është e vështirë për t'u përtypur. Duke u ndarë në pjesëza, krijohet një komunikim më i lehtë dhe më i mirë me publikun. Do të jenë tre episode. I pari kurohet nga unë, Joa Ljunberg, episodi i dytë nga Ana Dzokic dhe Marc Neelen dhe episodi i tretë kurohet nga Corinne Diserens, një nga kuratoret më të njohura sot. Episodin e dytë nuk do t'ia kushtojmë tërësisht arteve pamore, por do t'i hapim një dritare arkitekturës, kjo për arsyen se konteksti shqiptar ofron shumë në këtë aspekt. Kanë ndodhur shumë zhvillime në fushën e ndërtimeve, zonave informale, për shkak të mungesës së urbanistikës, etj., por analiza ka pak dhe ky episod do të fokusohet më së shumti në diskutimin mbi këto fenomene, duke marrë shkas nga Tirana, por duke gjetur raste të ngjashme në rajonin e Ballkanit, ku fenomenet janë të ngjashme, por dhe nga vendet e tjera të njohura për zonat informale, si Amerika Latine, Azia, Kina, etj. Çdo ditë do të ketë nga një temë diskutimesh, por dhe një ekspozitë, e cila ndjek tensionet dhe përplasjet mes interesave publike dhe private.
Ç'mund të na thoni rreth artistëve pjesëmarrës?
Janë rreth 60 artistë që vijnë nga 30 vende të ndryshme të botës. Artistët përfaqësojnë vendet nga vijnë, por më së shumti veten e tyre si individë, kështu që përzgjedhja është bërë mbi bazën e punëve. Një pjesë e tyre janë zgjedhur mbi punët ekzistuese, të cilat na janë dukur të përshtatshme për konceptin, por edhe të bukura për t'u paraqitur. Disa do të marrin pjesë në diskutimet që do zhvillohen, ndërsa pjesa tjetër kanë ardhur në Tiranë për të realizuar projektet këtu. Lidhen ngushtësisht me Hotel "Dajtin" dhe historinë e tij, ose me qytetin.
Do të ketë aktivitete të tjera satelite?
Do të ketë shumë aktivitete satelite. Mund të përmend një seminar me studentët e Universitetit "Polis", të cilët do ndërtojnë një guidë të pazakontë të Tiranës, e cila nuk ka të bëjë me vendet turistike që mund të vizitohen, por me pikat më të nxehta, ku përplasen interesat private dhe ato publike. Do të jetë edhe një projekt nga kuratori Stefano Romano dhe tre artistë të tjerë italianë, për të vijuar me ekspozitën "Ardhje", në bashkëpunim me Akademinë e Arteve, tashmë një traditë, e cila do të lidhet me episodin e tretë, duke krijuar vizibilitet më të madh për artistët e rinj.