Cana flet si kapiten: Nga këtu "do pushtoj" Anglinë
Leonard Karaj
Flet menjëherë si kapiten. Lorik Cana në prezantimin e tij të parë te Sanderlend, ka premtuar se do të injektojë te kjo skuadër sindromën e fituesit. "Jam një fitues i lindur. Kam eksperiencën e duhur për të luajtur në një kampionat si Premier League dhe do të bëj të pamundurën për të pushtuar Anglinë nëpërmjet Sanderlendit", ka pohuar futbollisti dhe njëkohësisht kapiteni i ri i Sanderlendit, Lorik Cana. Futbollisti shqiptar firmosi para disa ditësh një kontratë 4-vjeçare me këtë skuadër për një shumë prej 2.5 milionë euro neto rrogë në sezon. Ndërsa Olimpik Marsejës, skuadrës me të cilën Cana luajti prej verës së 2005-ës, i shkuan rreth 6 milionë euro. Aktualisht Cana është futbollisti më i shtrenjtë që është blerë deri në këto momente nga skuadra e Sanderlendit. "Mënyra ime e të luajturit është e tillë që mendoj gjithnjë të jap 300 për qind të mundësive të mia. Jam një futbollist që luaj fort në fushë dhe kam një karakter prej lideri të lindur. Duke parë këto dy gjëra besoj se loja ime është më shumë se angleze", ka pohuar më pas Cana. Më tej kosovari kuqezi është shprehur mjaft i kënaqur me pritjen që i patën organizuar drejtuesit e klubit. "Jam ndjerë shumë mirë me pritjen që më është bërë. Është dita ime e parë në stërvitje dhe në klub, por kam ndjerë një ngrohtësi dhe përkushtim deri në detaj. Kontakti i parë ishte me menaxherin Erik Bllek (asistenti i trajnerit Stiv Brus) i cili më prezantoi me të gjithë kolegët e mi. Më duhet të pres edhe pak para se të luaj seriozisht me Sanderlendin dhe të marrim rezultatet pozitive, por gjithsesi përshtypja e parë është mjaft pozitive", ka thënë Cana. Ndërkohë që Cana nuk ka lënë pa përmendur edhe dy ish-skuadrat e tij PSG dhe Marsejë. "Kam luajtur me dy ekipe të mëdha në Francë dhe kam një eksperiencë edhe në Kupën e Kampioneve dhe këtu jam për të ndihmuar sa më shumë Sanderlendin që të ngjitet në ato nivele. Përsa i përket Premier Leagues mendoj se është kampionati më i mirë në botë, ndaj edhe unë zgjodha te vij këtu", ka përfunduar Lorik Cana.