E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e fondeve rrezikon arkeologjinë

 

Një objekt i rrallë arkeologjik, një rrotë qerreje, që daton rreth vitit 168 para Krishtit, pret prej 20 vitesh restaurimin në Laboratorin e Konservimit dhe Arkiometrisë. Kjo rrotë, të cilën restauruesi Frederik Stamati e quan unikale, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë, është mjaft e dëmtuar. Nevojiten 3 milionë lekë për ta shpëtuar, por kërkesat nëpër institucione shtetërore kanë rënë në vesh të shurdhët. Rrota është zbuluar në vitin 1989 nga arkeologu Dhimosten Budina në Antigone. Asokohe puna për nxjerrjen e saj zgjati dy ditë për t'u sjellë më pas në  Institutin Arkeologjik në Tiranë. Sipas Stamatit, kjo rrotë është gjendur e djegur dhe aq shumë e dëmtuar nga ndryshku, saqë nuk guxonin as ta lanin. U morën menjëherë disa masa, si dokumentim, organizim për të kuptuar ndërtimin e saj, etj. U mendua që restaurimi i saj të bëhej në ndonjë laborator jashtë shtetit, sepse në kushtet e të vetmit laborator të restaurimit nuk mund të realizohej. "Por përpjekjet për të siguruar një restaurim jashtë shtetit nuk morën përgjigje. Ishte një objekt që kërkonte angazhim të madh. Rrota u amballazhua dhe qëndroi për njëzet vjet në pritje të ndonjë mundësie për restaurim", shprehet Stamati, i cili tashmë i ka hapur kutitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›