E Shtunë, 31 Tetor 2026

Big Band, më 10 mars në Akademinë e Arteve

Në skenën e Akademisë së Arteve në datën 10 mars do të zhvillohet koncerti i parë i Stinës Koncertore të Pranverës. Ky koncert do të jetë me tinguj të veglave frymore të Big Band dhe do të marrin pjesë studentë të katër viteve të Akademisë së Arteve. Programi i koncertit të datës 10 mars do të ketë një repertor të larmishëm muzikor. Pjesë si Roland Cardon, Hello MR. Conniff, George German, Etyd Fatos Qerimaj, Jo Brik-Pol, Hello Dolly, Mambo, etj, do të interpretohen për publikun. Por në këtë koncert, nga organizatorët mësohet se do të jenë të pranishme dhe pjesë nga Paganini. Në këtë koncert do të marrin pjesë dhe artistët Genti Rushi, Brikel Gunga, Miron Peku etj. Ky koncert është i pari i kësaj stine,  e cila do të vijojë më pas dhe me koncerte të tjera. Mësohet se Stina Koncertore e Pranverës do të përmbajë një repertor të larmishëm artistik. Sipas organizatorëve të kësaj stine koncertore, qëllimi parësor për këtë aktivitet ka qenë nxjerrja në skenë e studentëve, pasi askush nuk mund të bëhet artist duke qëndruar në shtëpi, dhe studentët duhet të mësohen me skenën. Ndërkohë që Stina Koncertore e Dimrit rezultoi mjaft e suksesshme. U arrit të nxirren në skenë studentë të përgatitur, por dhe emra të mirënjohur të skenës, të cilët janë njëkohësisht dhe pedagogë të kësaj akademie, si Nora Çashku, Merita Rexha Tërshana, etj. Gjatë Stinës Koncertore të Pranverës pritet të shfaqet dhe një opera e Puçinit. Në ditët në vazhdim do të jenë të tjera koncerte që në Akademinë e Arteve do të sjellin të tjera vepra muzikore krijuar nga autorë të njohur botërorë dhe shqiptarë. Ndërkohë që zhvillimi Stinës Koncertore me koncertet e saj ku mbizotërojnë tingujt muzikorë interpretuar nga talentet e rinj solli zgjimin e Akademisë së Arteve. Kjo është një stinë, që do të zgjasë deri në fund të vitit akademik, me data dhe programe të përcaktuara. Për sa i përket përgatitjes së Stinës Koncertore të Pranverës në Akademinë e Arteve, për organizimin e këtij evenimenti, veç grupit të punës, janë angazhuar edhe pedagogë të jashtëm dhe të brendshëm. Me fillimin e kësaj stine koncertore do të evidentohen më të mirët mes talenteve të reja, e njëherësh kryeqyteti do të ketë një aktivitet më tepër në axhendën e zhvillimeve kulturore të tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›