Big Bang CERN zbulon Grimcën e Zotit
Gjuetia për Grimcën e Zotit, apo e thënë ndryshe elementi që mund të krijohej pas imitimit të fenomenit Big Bang që krijoi universin, ka përfunduar. Shkencëtarët në CERN të Zvicrës (Këshilli Europian për Kërkimet Nukleare) kanë njoftuar zbulimin e grimcës së përputhshme me grimcën Higs , përpara një audience që përfshinte edhe profesorin Peter Higs, i cili e ka sugjeruar i pari ekzistencën e saj katër dekada më parë. Profesor Higs, 83 vjeç, lotoi kur u bë njoftimi. Zbulimi është më i madhi i bërë në fizikë për dekada me radhë dhe konsiderohet thelbësor në zbërthimin e kuptimit të atomit. Profesor Xhon Uomerslej, shef ekzekutiv i këshillit shkencor, tha se ky është një momentum për shkencën. Zbulimi plotëson boshllëkun e fundit në modelin standard të fizikës, duke i dhënë Ajnshtajnit të drejtë, dhe duke çuar drejt realizimit të teknologjive të reja.