E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Topalli përplasen edhe për ILDKP

Pas përplasjes së një muaji më parë mes shumicës qeverisëse dhe Presidentit Topi lidhur me pesë dekretet për Gjykatën e Lartë, një tjetër përplasje mes dy institucioneve duket në horizont. 

adi shkëmbi

Por këtë radhë nuk ka të bëjë me gjashtë dekretet që ka çuar kreu i shtetit për votim në Parlament, por për drejtuesin e ri të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Prej ditës së djeshme, kryeinspektores Fatmira Laskaj i ka përfunduar mandati pesëvjeçar në krye të këtij institucioni dhe sipas legjislacionit në fuqi, edhe për këtë rast është Presidenti ai që propozon dhe Kuvendi, i cili jep pëlqimin. E vënë në dijeni për afrimin e datës kur përfundon mandati i Fatmira Laskajt, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, i ka dërguar rreth dy javë më parë një letër kreut të shtetit, ku e vë në dijeni pikërisht të këtij fakti. Në letër theksohet fakti se Parlamenti nuk duhet të vihet në presionin e skadimit të afatit të kryeinspektores për shkak të ardhjes së dekretit në momentin e fundit. Burime pranë Presidencës bëjnë të ditur për gazetën "Panorama", se kreu i shtetit e ka marrë këtë letër dhe ka qenë plotësisht në dijeni të mbarimit të mandatit pesëvjeçar të kryeinspektores Laskaj. Por mësohet se kjo vonesë për dërgimin e dekretit në Parlament ka qenë e qëllimshme dhe justifikohet me faktin se kreu i shtetit nuk mund të dërgojë në Parlament për votim dy emra, kur drejtuesit të këtij institucioni nuk i ka përfunduar ende mandati. Sipas burimeve në Presidencë, Laskaj mund të qëndrojë ende deri në ardhjen e pasardhësit, ndërkohë që nuk saktësohet nëse ajo do të ketë të njëjtat kompetenca vendimmarrëse edhe gjatë kësaj periudhe. Mësohet gjithashtu se kreu i shtetit është duke përgatitur dekretin me dy emra që do të çojë në Kuvend për këtë post, madje Fatmira Laskaj, kryeinspekotrja në detyrë mund të rikandidojë për një mandat të dytë pesëvjeçar. Një komunikim i tillë nëpërmjet letrave mes kreut të shtetit dhe Kuvendit është bërë edhe pak javë më parë, kur Presidenti dërgonte vetëm një emër në Kuvend për anëtar të Komisionit të Konkurrencës. Më 23 qershor, Presidenti firmosi dekretin nr. 5789, ku i propozon Kuvendit votimin e Bërhan Malevit në postin e anëtarit të këtij komisioni. Por, sipas procedurës, kërkohet që për një post kreu i shtetit të propozojë jo një, por dy emra. Pikërisht për këtë qëllim, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dërgoi Topit një letër të premten e kaluar, ku duke iu referuar bazës ligjore, i ka kërkuar që të propozojë edhe një emër tjetër. Pas marrjes së letrës kreu i shtetit nxori një tjetër dekret dhe propozoi edhe Engjëll Skrelin për postin e anëtarit të Komisionit të Konkurrencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›