Topi: Politikanët,llogari bankare jashtë Shqipërisë
BLEDAR HOTI
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkon hetim të llogarive bankare të politikanëve që i kanë jashtë shtetit. Deklarata e bujshme e kreut të shtetit u bë në takimin e zhvilluar me rastin e 5-vjetorit të krijimit të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurisë. Topi në fjalën e tij kërkoi më tepër angazhim në të ardhmen nga ana e institucionit të tij. "T'i themi gjërat hapur, ne jemi vend i vogël. Shumë gjëra i marrim vesh edhe nëpërmjet bisedave të përditshme e natyrshëm edhe nëpërmjet një bisede në kafene. Ka ardhur momenti që Shqipëria dhe institucionet e saj, institucioni juaj, të bëhen pjesë shumë e rëndësishme e një infrastrukture kontrolli me partnerët ndërkombëtarë, qoftë edhe për të hequr ato dyshime, që në mjaft raste ekzistojnë dhe ne i dëgjojmë që një pjesë e pasurive, qoftë e zyrtarëve, të cilët janë të detyruar t'i deklarojnë, por edhe të një pjese tjetër, që nuk konsiderohen zyrtarë të administratës, një pjesë e pasurive të tyre mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë", deklaroi Topi. Presidenti hodhi idenë që Inspektorati të realizojë edhe vetë hetimin e deklaratave të zyrtarëve nisur dhe nga të dhënat e mediave apo të qëndrimeve të opinionit publik. "Çdo rast akuze apo denoncimi publik e mediatik duhet të sqarohet e të konsiderohet deri në fund. Ne tashmë kemi mekanizmat e nevojshëm ligjorë, që konfliktet e interesit dhe abuzimet financiare të mos i mësojmë, siç ndodh rëndom, kur ndodhin ngjarje të rënda apo skandale, që bëhen pjesë e medias në radhë të parë, që bëhen pjesë e sensibilizimit të institucioneve. Normalisht duhet të ndodhë e kundërta", theksoi Topi. Sipas tij, duhet të jenë institucionet ato që prevalojnë, ato që bëjnë parandalimin, në mënyrë që skandalet të mos dalin pastaj në media dhe institucionet të bëhen dipendente edhe të informacionit që vjen nga mediat. "Unë besoj që kjo është fryma e ligjit, kjo është edhe sfida kryesore e institucionit tuaj në raport me publikun. Publiku duhet të jetë i pranishëm, duhet të jetë i sensibilizuar, duhet jetë pjesëmarrës", tha më pas Presidenti. Kreu i shtetit ka dënuar fuqishëm rastet ku një pjesë e mirë e zyrtarëve nuk e deklarojnë pasurinë e tyre pranë Inspektoratit. "Në raportin tuaj zyrtar, znj. Laskaj, konstatohet se ka nëpunës, madje 175 të tillë, që nuk zbatojnë ligjin dhe madje nuk deklarojnë as pasurinë apo nuk nënshkruajnë deklaratën e konfliktit të interesit. Një gjë e tillë është sa e dënueshme, aq edhe e papranueshme në logjikën e funksionit të administratës dhe të shtetit. Nga modele të tilla zyrtarësh është e kotë të presësh zbatimin e ligjit në raport me qytetarët. Pra, kur ata nuk janë koshientë për një detyrim, që është detyrim ligjor formal që duhet të jetë edhe moral, kur nuk janë në gjendje të përmbushin këtë detyrim minimal e të domosdoshëm ligjor për veten e tyre, atëherë çfarë mund të presë qytetari nga këta nëpunës që ata të jenë seriozë në plotësimin e detyrimeve që ata kanë ndaj ligjit, ndaj shtetit dhe ndaj publikut. Vëmendja e kreut të shtetit është përqendruar edhe në faktin se Inspektorati duhet të perfeksionohet në mënyrë që të mos jemi sipërfaqësorë, në mënyrë që askush që abuzon me postet publike, të mos fshehë pasurinë e tij, qoftë pasurinë fizike, qoftë pasurinë monetare dhe realisht të futemi në një fazë të re. "Dhe kjo fazë e re do të kthejë një besim absolut, të plotë tek publiku. Ky është misioni juaj shumë i rëndësishëm, misioni qytetar, të cilin ju e keni përmbushur dhe jam i bindur që do të vazhdoni ta përmbushni me sukses", theksoi Topi.