E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letrat “e pavërteta” të Pjetër Arbnorit

“Shumë e dashura nanë” është libri që u promovua dje, që mban dëshmitë unike të njeriut që u shndërrua në simbol të lirisë dhe rezistencës, Pjetër Arbnorit. Një botim që është lajmëruar nga publikimet sporadike në media të letërkëmbimit që shkrimtari, politikani ka pasur me nënën e tij, për 29 vitet e dënimit në burgjet komuniste. Letrat që ai i dërgon familjes kapin shifrën 300, të përmbledhura në botimin e parë të kësaj natyre dëshmuese që vijnë nga burgu i Burrelit, që nisin prej viteve ‘60, deri në plotësimin e viteve të dënimit, më ’89-n. Për to është kujdesur Novruz Shehu, një gërmues arkivash dhe bindës për të drejtat e autorit për botim. Në takimin e djeshëm, dëshmitarë, miq, të afërm, bashkëvuajtës me Pjetër Arbnorin treguan pjesëza historie që e ndanin në dysh të vërtetën e letërkëmbimeve; ironia me të vërtetën, dhe ndjeshmëria e njeriut, në durim, dashuri e qëndresë. Letrat janë origjinale, në të cilat rrëfehet Arbnori vital, kërkues, etje për të zotëruar kohën, për të inkurajuar - kjo në kufijtë e burgut; por jashtë tij “detyra” familjare mbante vetëm një peshë, barrë biblike; të mos jepej, të qëndronte në dashuri, me dhembshuri pa i rrëfyer gjithë të vërtetën familjes, nënës së tij, motrës për gjendjen ku ndodhej.
Për familjen Arbnori si dukej ishte mjaft i rëndë, qoftë dhe vitet e dënimit. Letrat shmangin vuajtjet, torturat e burgut komunist - për të mos mbjellë tek nëna e tij humbjen! Ndaj, dje, edhe një pjesë e kujtimeve të atyre që dëshmuan ngjante krejt një realitet tjetër, më i rëndë, i paimagjinueshëm, nga prekja shpirtërore të një dashurie të thjeshtë nënë e bir, siç shkruante Arbnori letrat. Aty ku ky realitet jepej “i rremë” autori i ka lehtësuar me një tekst të pjerrët, për të kuptuar se ajo që ka shkruar Arbnori ishte një trillim, për të mbajtur gjallë nënën e tij, duke amortizuar çdo të keqe. Pjetër Arbnori kurrë nuk i tregoi në letra familjes për torturat çnjerëzore që i bëheshin në burg, i mbante larg nga ndjesia e keqtrajtimit. Por të njëjtën bënte edhe në burg Arbnori. Këngëtari Sherif Merdani ka sjellë dje për herë të parë kujtimet për Arbnorin, me të cilin ka qëndruar për nëntë vjet në burg, në krevatin ngjitur. Episodi që ka treguar Merdani dëshmoi për atë të vërtetë që “mbulonte” Arbnori në letrat e tij për nënën, duke kujtuar një nga rastet më të dhimbshme të vetëvrasjes së Muharrem Bajraktarit, në vitin ’76. Merdani ka kujtuar se në dhomë pas vetëvrasjes gjetën një letër që si duket ia kishte shkruar mikut të tij, Pjetër Arbnorit, bashkë me një copë bukë ku thuhej: “I dashur mik, po ju lë copën time të bukës dhe po iki”. Gjakftohtësia që ka pasur Arbnori në burg, qetësia, toleranca janë mbresat që solli Merdani duke kujtuar me ironi dhe momentin kur të Sigurimit i shkuan në qeli për t’i dhënë urdhrin e riarrestimit, ndonëse ishte ironi këngëtari tregoi momentin plot qesëndi se Arbnori priti xhelatët duke i treguar paguren e jashtëqitjes që mbante në dhomë. Prej Arbnorit këngëtari ka mësuar frëngjishten, por ky është vetëm një rast, sepse të tjerë dëshmuan si ai se ka emancipuar breza në burg, me inteligjencë dhe rezistencë. Ndërsa nga Genc Pollo është vlerësuar si vetmi konsekuent pas ’90-s që vazhdoi luftën e madhe të demokracisë për të ndërtuar një sistem jo të lehtë pas asaj që kaloi vendi ynë.
“Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi”, kjo është një nga kulmet e dhimbshme që Arbnori është i detyruar t’ia shkruajë nënës së tij, me guximin në bindjet e tij.
Libri i Pjetër Arbnorit “Shumë e dashuna Nanë” mbyllet me një biografi të shkurtër të Pjetër Arbnorit, duke dhënë edhe 16 veprat e tij të shkruara dhe të botuara.
Si pasthënie e librit shërbejnë dy letra të shkruara dhe të dërguara prej tij. Njëra Shuaip Panaritit, kryetar i Gjykatës së Lartë, Tiranë, dhe tjetra prokurorit të përgjithshëm dhe Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia.
Lindur në Durrës me 18 janar 1935. 14 vjeç fillon të marrë pjesë në grupet ilegale kundër diktaturës. Mbaron në dy vjet e gjysmë studimet në Fakultetin e Filologjisë me rezultate të shkëlqyera. Merr pjesë në krijimin e një organizate socialdemokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Më 1961 arrestohet dhe dënohet me vdekje. Pas tre muajsh dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të tij në burg, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht 1989 lirohet nga burgu pas 28 vjet e gjysmë. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste me 14 janar 1990. Zgjidhet kryetar i PD-së për Shkodrën. Më 1992 dhe 1996 zgjidhet Kryetar i Kuvendit Popullor. Ka marrë titullin "Mësues i Popullit" dhe "Pishtar i Demokracisë". Gjithashtu është "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës" nga Asambleja e Vendeve Frëngjishtfolëse. Instituti Biografik i Kembrixhit, e futën biografinë e tij në "Who's Who" të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar. Ka shkruar shtatë romane dhe ka botuar: "Mugujt e mesjetës" - novelë, "Kur dynden Vikingët" - novelë, "E bardha dhe e zeza", "E panjohura, Vdekja e Gebelsit" etj. dhe ka përkthyer nga frëngjishtja "Historia e Anglisë".
V. Murati

Burrel, 24.9.1968
Shumë e Dashuna Nanë, Netë e Margeritë,

Nuk e beson, nanë e dashun, sa shpejt më kalon koha. Ti kujton se due me të ba qefin, por më duket sikur kemi jo 7 vjet, por 7 muej që jemi nda. E dij se vështirësitë ma të mëdha i keni ju e jo unë, se mërzitjet ma të mëdha i hiqni ju e jo unë. Ju mundimin, ju punën, ju mërzitjen, ju shqetësimet: unë rri, ha e flej. Sigurisht edhe unë mendoj për ju, por ma tepër se me mendue s’kam çka baj. Netos i kishte mbetë merak se më pau me mangë të xhaketës të shkyeme. Ma besoni se atë ditë patëm nxjerrë teshat jashtë e kjeshë ba gjith pluhun, prandaj pata veshë atë teshë të vjetër. Besa, më shkoi mendja me e hjekë, por kjeshë djersitë e s’pata kohë me veshë tjetër gja. Prandaj nuk keni pse me shpenzue të holla për gjana që nuk më duhen. Unë nuk kam nevojë, i lypi vetë: lypa çorapet, rrogozin, kamishat etj, Edhe vehten mos kujtoni se e la të shrregullt: qepi shumë bukur (megjithëse me përtesë të madhe), laj shumë mirë e nuk rri kurrë me pritë ndihmën e kuj. Tash sa vjet, vetëm nji herë i kam dhanë teshat me m’i la. Sigurisht unë nuk mund të rri aq në rregull sa ç’mund të pretendoni ju, por edhe i fundit nuk jam. Gjellët i bajt ë mira dhe gatuej pa shumë mërzi. Kemi mangaj të vogjël shumë, të bamë me çimento ndër tenxhere të vogla. I vemi nji teneqe me bira në fund dhe me 200-300 gram qymyr, ziejmë çfarëdo gjelle, edhe groshë (sado unë s’e ha shumë). I fryjmë me nji copë kompensato me bisht dhe për 40 minuta orizi, makaronat e çfarëdo gjelle asht gadi. Shpesh qeshem me vete e tham: ndonji herë kam me ndejë me nanën n’shtëpi e kam me i gatue vetë gjellët. Veçse s’kam me e matë dorën se po më mësoni keq pa më mungue asgja.
Jueji Pjetri

Burrel, 13.I.1989

Shumë e dashura Nanë, Netë e Margeritë,
Me qenë se dje mora letrën e Florës, nuk po pres tjetër por po ju përgjigjem. Gjithë këto ditë kam ndejtë me merak se këndej nga na ka ra nji grip i fortë.Unë e pata dy net me temperaturë dhe për fat e kalova shpejt. Tashti e ka edhe shoku që punoj me të dhe atë e ka kapë diçka më fortë. Sa herë kollitemi apo fshijmë hundët mendja na shkon të dyve larg te nanat e mendojmë ishalla e kanë kapërcye këtë grip pa të keq. Po jo më pak më shkon mendja edhe te njerëzit tanë të tjerë, te ju motra, te Flora. Ju thoni se jeni mirë, e ashtu uroj e shpresoj. Mirëpo kartolinë, as letër prej Netës ka kohë që nuk kam marrë e rri me shpresë se do të ketë pas punë shumë e s’i ka dalë koha. Edhe telegrami që mora për Vitin e Ri nuk më qetësoi se adresa ishte Pjerin Arbnori, e ju megjithëse ashtu më thërrisni në shtëpi, ndër adresa s’ma shkrueni kurrë, prandaj duhet ta ketë ba dorë tjetër.
Vitin e Ri e kaluem mirë. Kishim mbledhë racionet e 20 ditëve të mishit që na takon si puntorë, kështu që bamë nji gjellë të mirë, mish e lang; kavërdisa edhe nji kokërr qepë që më kishte mbetë ka herë në strajcë. Në dyqan na shitën edhe nga tri gurabija për festë, veç kësaj kishim ruejtë edhe molla e portokalla, mbasi ju pata shkrue se bleme nga dy kile për festë. Shto mandej djathin e fundit që pruni Neta, sofra u plotësue për bukuri. Mungonte vetëm nji qese plasmani me ato vishnjet që përgatiti nana e që s’e pata si vitet e tjera. Flora më pyet, a ndigjuem festivalin e kangës. Natën e parë e të dytë radioja s’na punoi mirë, por natën e tretë i ndigjuem kangët dhe disa prej tyre na pëlqyen e sigurisht edhe kanga fituese që këndoi Parashqevi Simaku. Edhe koncertin e Vitit të ri e ndigjuem disa pjesë. Me thanë të drejtën atë natë deri në 10.30 ndenja mirë, masandej nisa me u kotë. Shoku im bisedonte dhe kur shifte se unë varshe kryet, e lente fjalën në gjysmë. Unë zgjatesha trembshëm e i thoja vazhdo; demek se po të ndijoj. Kjo histori u përsërit dy-tri herë, madej u çova e rashë. Ai s’pat çka me ba vetëm e ra mbas meje. Sa vuna kryet në jastëk, për çudi gjumi më iku. Atë natë nuk bana më shumë se katër orë gjumë, u zgjova, herët e rrija mendoja për ju; me radhë.
Për nanën me shkruenit e asht mirë e ka shpëtue deri tashti nga gripi. Dimni na ka mbajtë mirë. Akull ka përditë nëpër oborr, por as re, as erë, ka lezet me ndej në diell gati gjithë dhjetorin dhe fillimin e kallnorit. Edhe qymyr e dry për sobën tashti kemi pas mjaft. Me punë e kaloj mirë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›