Antivlerat e një “studimi” gjeografik
Literaturës gjeografike i është shtuar botimi me titull: “Studim mbi potencialin e zhvillimit të qëndrueshëm përreth brigjeve të lumit Cem në nivel ndërkombëtar, Shqipëri-Mali i Zi”, me autor Prof. dr. Mahir Hoti etj, i cili është depozituar në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë. Midis pesë bashkautorëve të këtij “studimi”, 4 janë Msc (master) dhe jashtë fushës së gjeografisë, ndërsa autori kryesor, M. Hoti, është i fushës së gjeografisë fizike, por që guxon të marrë përsipër edhe trajtimin e çështjeve nga fusha e gjeografisë humane (pjesa e dytë e punimit). Absurdi i parë është fakti se në një punim gjeografik, autori i parë është me gradën shkencore më të ulët dhe jashtë fushës së gjeografisë, kurse autori i dytë është me gradën dhe titullin shkencor më të lartë në fushën e gjeografisë?!
Kuptohet lehtë se përzgjedhja e bashkautorëve, nuk është aspak në funksion të përmbajtjes së studimit. Këtë mendim e përforcon fakti se nga 16 citime të renditura në bibliografi, nuk përmendet asnjë vepër fiziko-gjeografike, gjeomorfologjike, gjeologjike, klimatike, e gjeografisë humane etj. Ndërkohë citohen 11 vepra biologjike. Nisur nga ky fakt, gjithkush do të mendonte se “studimi” është nga fusha e biologjisë!
Në “studim” paraqiten 2 probleme themelore që plotësojnë njëri-tjetrin. I pari, plagjiatura (kopjimi) në trajtimin fiziko-gjeografik të luginës së Cemit, prej monografisë “Gjeografia Fizike e Shqipërisë”, botim monografik i Akademisë së Shkencave, Tiranë 1991, f. 32, 62-64). Në veçanti janë kopjuar nga gjeomorfologjia, hidrografia, pjesërisht klima, ndërsa tokat, pa të cilat nuk ka bimësi dhe zhvillim ekonomik (bujqësi, blegtori, truall ndërtimi etj.) nuk janë trajtuar fare(?!) I dyti, gabimet shkencore deri në nivel absurdi, të bëra në punën vetjake të këtij autori, të cilat janë të pranishme në çdo paragraf të punimit. Në vazhdim po veçojmë ato më kryesoret dhe njëherazi më flagrantet.
Monografia e lartpërmendur, nga është marrë materiali, nuk është cituar në asnjë rast, prandaj nuk na çudit mungesa e saj në bibliografi. Autori është përpjekur të kamuflojë këtë plagjiaturë me ndryshimin e rendit të fjalëve në fraza, të luginave, të parametrave morfologjike, duke shtuar ose hequr ndonjë gjë pa rëndësi, por në tërësi përmbajta e materialit të përvetësuar mbetet e njëjtë. Në disa raste autori është ngutur në kopjim, prandaj ka ngatërruar shpatet me shtratin e luginës (f. 11), këtë të fundit me pellgun ujëmbledhës deri në cilësimin e saj “zonë dhe rajon i Cemit”(?!). Dukuri të tilla, tepër të rralla në sferat akademike, për autorin janë të përsëritura. Në këtë punim, siç u theksua më lart, veçohet pjesa e gjeografisë fizike dhe ajo e gjeografisë humane, të cilat janë trajtuar përkatësisht me 2 dhe 3 kapituj. Gjatë këtyre kapitujve spikasin konceptime tejet të gabuara, në terminologjinë e përdorur, si: mjedis abiotik (ai biotik nuk përmendet gjëkundi) në vend të veçorive fiziko-gjeografike; ndarja e florës dhe faunës prej elementëve të tjerë të mjedisit natyror, duke i trajtuar si kapitull më vete (?!); në veçimin e analizës social-ekonomike nga potenciali ekonomik i zonës së Cemit; në veçimin e ndotjes dhe përdorimin e ujërave të Cemit nga hidrografia e tij; në ndarjen e pyjeve nga flora etj. Pra, në përmbajtjen e punimit spikat konfuzioni dhe çoroditja e plotë, të paraprira me emërtimin e territorit të studimit, që në titull quhet “brigjet e lumit Cem”, kurse në tekst mbizotëron lugina, pellgu dhe në vazhdim, “zona dhe rajoni i Cemit”. Të gjithë këto emërtime krejt të ndryshme, të cilët autori gabimisht i barasvlerëson, bien në kundërshtim flagrant me përmasat e trajtimit të tyre në punim dhe interpretimet tejet të gabuara të dukurive fiziko-gjeografike dhe atyre të gjeografisë humane të Cemit.
Në çoroditje çon edhe mospërputhja e plotë midis titullit e përmbajtjes. Për të kuptuar konfuzionin e plotë të punimit po përmendim këto fakte: në titull përdoret termi brigjet e lumit, kur dihet se brigje kanë lumenjtë kur kalojnë gjatë fushave dhe ultësirave, por kurrsesi lumenjtë alpinë (?!). Objektin e studimin në kapitullin e parë dhe të tretë e emërton zonë, në kapitullin e dytë luginë, në kapitullin e katërt rajon, ndërsa në kapitullin e pestë dhe të gjashtë, basen. Sikur të mos mjaftonte kjo, gabimet e rëndomta vazhdojnë tek ndarja e kapitujve, ku natyrshëm i pari, i dyti dhe i treti duhet të përbënin një të vetëm, sepse flora, fauna, ndotja dhe përdorimi i ujërave (hidrografia), ashtu si ndërtimi gjeologjik, veçoritë gjeomorfologjike, klimatike dhe hidrografike, janë përbërës natyrorë me vlerat përkatëse të pandara, ndërsa tokat nuk janë trajtuar fare (?!). Një ndarje të tillë, tejet të gabuar, autori e ka bërë edhe te pjesa e gjeografisë humane, në të cilën kapitulli i tretë dhe i katërt formojnë një të vetëm. Në këtë rast lind pyetja: Si është e mundur që një profesor i gjeografisë fizike të bëjë gabime shkencore kaq të rëndomta për probleme të njohura të shkencës së gjeografisë?! Në rastin e pasaktësive dhe mangësive të shumta në trajtimin e çështjeve humane përgjigja është e thjeshtë: guximi i tepruar i profesorit për t’u futur në një fushë jashtë kompetencave profesionale. Krahas ndarjes së gabuar, kapitujt shoqërohen nga tituj të gabuar, duke thelluar akoma më shumë çoroditjen e përmbajtjes së punimit. Kurse kapitulli i gjashtë, i trajtuar me një faqe dhe në mënyrë absurde, është i pashembullt. Odiseja e gabimeve shkencore fillon te metodologjia dhe metodat e studimit (f. 7), që është shkruar me germa kapitale dhe trajtohet vetëm me një paragraf, pa dhënë asnjërën prej tyre (?!). Te pozita gjeografike (f. 8) trajtohet (jashtë teme) lumi i Cemit (?!). Këtu autori bën një zbulim të rrallë, kur flet për ujëra termale në Cem. Në vazhdim autori shkruan se ujëndarësi i lumit Cem kalon nga maja, si gropa Fluturi 2009 m, pra nga maja te gropa (?!), duke bërë gropë luginën e Lëpushës, shprehje tipike si ajo popullore kodra mbas bregut (?!) (f. 9). Më tej brekçiet i quan depozitime akullnajore, ndërsa kuaternarin e ndan në tre dhe jo katër faza (?!). Midis gabimeve shkencore karakteristike të autorit, veçojmë “zbulimin” e bërë rreth klimës së lumit Cem, kur shkruan se pellgu i Cemit shtrihet mes klimës mesdhetare (?!) dhe klimës së butë kontinentale (?!) (f. 18). Pra, dy absurditete: i pari, ai shtrihet në zonën klimatike mesdhetare malore (Klima e Shqipërisë, Tiranë, 1975) dhe i dyti, nuk ekziston një klimë e tillë, askund në vendin tonë. “Kontributi” për klimën arrin kulmin e padëgjuar deri më sot, kur autori shkruan se përreth basenit të Cemit, klima është subtropikale dhe e ftohtë, së bashku me ndërtimin gjeomorfologjik (?!), (duhet ndërtim gjeologjik, sepse nuk ka ndërtim gjeomorfologjik) (f. 21). Për të krijuar idenë e mënyrës se si shkruan autori në këtë punim dhe atë të interpretimit “shkencor”, me interes paraqiten paragrafë të tillë si: mbi 2000 m gjendet bimësia livadhore, që formon livadhet alpine (f. 22). Livadhet apo
kullotat alpine përbëhen nga bimët livadhore; veprimtaria ekzogjene e faktorëve të jashtëm (f. 13); kullotat e verës përqendrohen në zonën e Vermoshit (?!) (ç’do Vermoshi në Cem, pra jashtë teme), ndërsa në dimër në fusha të ulëta (?!) (f. 25). Të “zbulosh” fusha të tilla në një reliev tipik alpin, si lugina e Cemit, me kanione dhe gremina marramendëse, besojmë se i kalon kufijtë e imagjinatës absurde të njeriut. Në vijim të çoroditjes, paraqitet mendimi se “shpatet e luginës formojnë pragje dhe gjarpërime të shumta”. Nuk mund të kuptojmë një absurd të tillë, kur dihet se gjarpërime nuk formon shpati, por shtrati i lumit. Midis disa gabimeve shkencore të tjera të këtij autori janë: ekuilibri biologjik ka sjellë në jetesë edhe kafshët mishngrënëse, duke ruajtur në baraspeshë ekuilibrat natyrore (f. 21). Shtrohet pyetja, po ekuilibri biologjik, nuk është pjesë e ekuilibrit natyror (?). Si ka mundësi, që pjesa të kushtëzojë të tërën, pra i pari të kushtëzojë këto të fundit, të cilat i jep në shumës (?!) Natyrisht është shumë vështirë, për të mos thënë e pamundur, të kuptohen akrobacitë “shkencore” të këtij autori, të cilat zor se i kupton edhe ai vetë. Midis “zbulimeve”, nga më befasueset dhe marramendëset në këtë punim (f. 16) është kthimi i gojëdhënës në realitet, kur duke iu referuar gojëdhënës popullore, autori shkruan për furnizimin me ujë të lumit Cem nga liqeni akullnajor i Rikavacit, jashtë kufirit, duke u bërë burimi i dytë (?!) i rëndësishëm për këtë lumë. Sqarojmë autorin, se ky liqen në lartësinë 1311 m, i përket pellgut ujëmbledhës të lumit Vermosh, pasi nëpërmjet shkallës së Rikavacit, përfundon në Skrobotushë (fillimi i lumit Vermosh). Gjithashtu, theksojmë se prania e shkëmbinjve flishorë të papërshkueshëm, midis Mregut dhe Greçës, nën gëlqerorët e përshkueshëm të kurrizit malor të Vilës, nuk lejon kalimin me rrugë nëntokësore të ujërave të këtij liqeni në lumin e Cemit.
Me këtë “studim” prof. M. Hoti ka dëshmuar haptazi se si nuk duhet të shkruhet një punim shkencor. Shprehim keqardhjen dhe njëherazi habinë e botimit të një studimi me një nivel të tillë skarciteti, pa asnjë redaktim gjuhësor, sepse për atë shkencor, nuk mund të bëhet fjalë. Pikërisht ky fakt, krahas plagjiaturës së hapur, ka qenë shtysa e këtij shkrimi kritik, i cili synon t’u bëjë të ditur lexuesve nxënës, mësues, studentë të gjeografisë e më gjerë, shtrembërimet e të vërtetave gjeografike të paraqitura në këtë punim, të cilat shoqërohen edhe me veprimin e pandershëm të përvetësimit të punës shkencore të botuar nga autorë të tjerë. Jemi të hapur për ballafaqim me autorin, për ta ndërgjegjësuar atë për gabimet shkencore flagrante të këtij punimi.