E Diel, 1 Nëntor 2026

Bija rebele i kundërvihet Berluskonit

Që nga çasti kur Silvio Berluskoni u rizgjodh për herë të tretë në postin e Kryeministrit të Italisë, komentatorët dhe aktivistët e majtë po vajtojnë dështimet dhe paaftësitë e partive të opozitës. Tani kanë zbuluar një heroinë të re te bija e Berluskonit, e cila i është kundërvënë të atit me një ndërhyrje që jep shenja për një figurë të ardhshme me profil të lartë politik - por majtas.

Në historinë e zonjës Berluskoni, 24 vjeçe, e pashme, ka diçka që bie ndesh me vijën e familjes. Kur ishte 21 vjeçe thoshte se u fikte televizorin fëmijëve të saj kur i gjente duke parë ndonjë spektakël të "Mediaset"-it. Gjithashtu, nuk pranoi të bëhej pjesë e partisë Forca Italia, falë së cilës i ati u ngjit në pushtet. Dhe javës së shkuar, nën qortimet e të atit, thirri për dorë të fortë ndaj fenomenit të konflikteve të interesit, i cili po dëmton rëndë politikën edhe biznesin, një betejë që mund të rezultojë e drejtuar pikërisht ndaj të atit, duke qenë se kohën e ndan në drejtimin e shtetit dhe menaxhimin e perandorisë personale, ku bëjnë pjesë stacione televizive, banka, botime e futboll.

"Jam e bindur se çështja e konfliktit të interesave duhet rregulluar", tha Barbara Berluskoni, e cila po përgatit tezën mbi etikën në financë për mbrojtjen e një doktorature në filozofi në Milano. Gjatë një interviste të dhënë javës së shkuar me të përditshmen italiane "La Stampa", ajo pranoi se po luftonte e vetme në këtë kuadër, për shkak të mungesës së sensibilizimit të opinionit publik italian. "Rezultatet e votimeve treguan se italianët nuk e konsiderojnë të nevojshme këtë luftë", vërejti me trishtim. "Është nevoja, por askush nuk e kërkon".

Fjalët e saj u amplifikuan nga e përditshmja me prirje të forta majtas "Liberazione", e cila e lëvdoi Barbarën si njeri që po punon më shumë në këtë kuadër "se e gjithë opozita parlamentare" dhe vërejti me ironi të hidhur se në Itali "qeveria dhe opozita janë përmbledhur në të njëjtën familje".

Silvio Berluskoni ka dy djem dhe tri vajza të lindura nga dy martesa. Marina 42-vjeçare bën rregullisht pjesë në listën e "100 grave më të fuqishme në botë" të përpiluar nga revista amerikane "Forbes"; Eleonora, motra e vogël e Barbarës, e lindur nga martesa e dytë e të atit me Veronika Larion, deri tani nuk ka treguar ndonjë interes të veçantë për t‘u përfshirë në politikë. Ndërkohë që Veronika, ish-aktore të cilën Silvio e njohu për herë të parë teksa shfaqej e zhveshur nga mesi e lart në një pjesë teatrale në Milano, ka shfaqur prirje liberale.

Lario ka ruajtur vazhdimisht profil të ulët, duke mos pranuar ta shoqërojë Silvion nëpër vizitat shtetërore dhe duke bërë të ditur disa herë se temat mbi politikën janë kthyer në bezdi të pandërprerë në tavolinën e mëngjesit të familjes. Gjatë një intervistë dhënë për "Micromega", organ mediatik i njohur për kritika të forta ndaj Berluskonit, u shpreh kundër pjesëmarrjes në luftën e Irakut, duke u pozicionuar kështu kundër të shoqit, i cili mori vendimin për të dërguar atje trupa.

Barbara, bija e Veronikës që po shfaqet gjithnjë e më dendur në skenën politike, është bashkëthemeluesja e "Milano Young", shoqëri e ngritur falë donacioneve të disa prej njerëzve më të pasur në Itali, me qëllim ndihmën financiare ndaj viktimave të cunamit që përfshiu Azinë në vitin 2004. Selia e shoqatës po kthehet me shpejtësi në një vend takimi për të rinjtë e pasur e me lidhje të forta, të cilët duan ta jetojnë jetën pa tradhtuar parimet e ndërgjegjes shoqërore.

Mes rekrutëve gjenden Françeska Versaçe, bijë e familjes së njohur në botën e modës, Paolo Ligresti, bir i manjatit të sigurimeve Salvatore dhe Xheronimo la Rusa, bir i Injacios, ministër Mbrojtjeje në qeverinë e Berluskonit. Siti në internet i shoqatës, ku flitet për donacione bamirësie e udhëtime turistike, i fton pjesëtarët të marrin pjesë në një konferencë mbi etikën në biznes që do të mbahet muajin e ardhshëm.

"Na nevojiten më shumë rregulla për të përmirësuar mënyrën se si sillemi, por njëherësh edhe institute të forta në gjendje të garantojnë që ligjet të respektohen", thotë Barbara. Ky koment bëhet lidhur me rrënimin e shoqërive të investimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por bie tërësisht ndesh me betejën epike që po zhvillon i ati me gjykatësit italianë.

Prokurorët e Milanos po përpiqen t‘i shkojnë në fund një gjyqi mbi disa afera korruptive, ku gjendet i përfshirë Silvio Berluskoni dhe Deivid Mills, ish-bashkëshorti i ministres Olimpike të Britanisë, Tesa Xhouell. Së fundmi, Berluskoni ka bërë disa lëvizje falë të cilave katër qeveritarët më të lartë italianë, përfshi edhe vetë atë, të jenë imunë ndaj çdo lloj hetimi.

Tani për tani, Barbara nuk thotë asnjë fjalë nëse do t‘i dalë kundër të atit mbi subjektin e konfliktit të interesave. "Nuk kemi pasur kohë të diskutojmë, por sigurisht që ai do jetë i pari që do shohë tezën time", thotë ajo. Vajza tani është pjesëtare e bordit të shoqërisë "Fininvest", kompania holding e themeluar nga i ati. Ka të gatshme edhe platformën për t‘i predikuar idetë e veta në komunitetin italian të biznesit, një nismë mjaft delikate në rast se Italia bie edhe më poshtë në indeksin e korrupsionit të "Transparency International". Tani, vendi gjendet i 55-ti në listën e shteteve me korrupsion më të madh, 14 vende më poshtë nga viti i shkuar. Sipas atij raporti të përvitshëm, rezulton se politikanët italianë janë më pak të besueshëm në sytë e bashkëkombësve të vet se ata në Kili, në Korenë e Jugut e në Kosta Rika.

Aleatët e afërt të Kryeministrit nxituan të hidhnin poshtë idenë e rebelimit brenda familjeve më të rëndësishme të politikës italiane. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Injacio la Rusa, babai i Xheronimos, "bijtë e politikanëve apo sipërmarrësve, ashtu si edhe bijtë e nëpunësve apo punëtorëve, janë në kërkim të një bote më të mirë, e cila nuk ka përse të etiketohet doemos ‘e majtë‘".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›