E Diel, 1 Nëntor 2026

Ky është Butrinti...

Butrinti, prej 16 vjetësh në mbrojtjen e UNESCO-s, 8 qytete të tjera antike, si dhe qyteza e qendra të banuara, deri tek Kamenica mesjetare dhe 40 banesa që përfaqësojnë vlera monumentale. Kjo ka qenë një panoramë e shpejtë e bërë në kalanë e Lëkurësit në 29 shtatorin e sivjetshëm, që shënon Ditën Trashëgimisë Kulturore Kombëtare dhe Evropiane. Gjithnjë numërimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore nis nga kreshta më e lartë dhe më e shndritshme e kësaj pasurie, sikurse është Butrinti. As. prof. dr. Ylli Cerova, drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit, ka prezantuar vlerat e pallogaritshme monumentale, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të këtij qyteti antik.

Një e dhënë pak e njohur tregon se Butrinti është monument kulture që prej vitit kur ai është zyrtarizuar si i tillë. 44 vjet më vonë, pra më 1992-shin, ai u mor në mbrojtjen e UNESCO-s, ndërsa në vitin 2000 do të merrte statusin e Parkut Kombëtar Arkeologjik. Zgjerimi (me një vendim të posaçëm qeverie) i kufijve të shtrirjes së Butrintit nga 29 km katrorë në 86 km katrorë më 2005-ën, kishte qenë jetike për ruajtjen e tij. Cerova thotë se ///ajo pothuaj//// ajo që më parë ishte sipërfaqe totale, trajtohet tashmë si zonë principale, e cila paraprihet nga një zonë buferike, që shërben si një kordon mbrojtës për "zemrën" e parkut. Butrinti është aq i njohur edhe për atë që paraqitet si një mozaik e ndërthurje kulturash mes asaj që është bizantine, veneciane, romake e greke dhe deri otomane. Drejtori Cerova, që është arkeolog në profesion, thotë se mozaiku i Baptisterit jep motive të përngjashme me ato të Shën Sofisë në Stamboll.

Butrinti mbetet përherë tërheqës dhe i pakrahasueshëm me asnjë sit tjetër arkeologjik për vlerat e veta të pallogaritshme monumentale, arkeologjike, mjedisore dhe turistike. Për pasuritë e tij në pikëpamje të florës dhe faunës, Butrinti i shtohet hartës së zonës Ramsar. Nga viti në vit, Butrinti rrit jo vetëm zoonimin, por edhe shtrirjen e vet arkeologjike. Vetë qyteti antik shtrihej më parë në 16 ha, ndërsa me shtrirjen e gërmimeve dhe zbulimet e kryera edhe në Diaporit e në Vrinë, Butrinti arkeologjik përfshin tashmë 24 ha.

Butrinti është ndoshta një nga vendet që ende e ruan edhe virgjërinë e nënujit. Indikator i kësaj të vërtete është prania e barit të Poseidonit, i cili është si letra e lakmuesit për mungesën e ndotjes mjedisore. Këtë e kanë konstatuar dhe vlerësuar edhe këto ditë, kur në Butrint kanë ardhur disa studiues të huaj. E reja që ofron tashmë Butrinti, është te kompletimi i monumenteve të tij me panele interpretues në gjuhën shqipe dhe anglisht. Në atë masë, sa drejtori i parkut, Cerova, thotë se nuk ka nevojë as për ciceronë. Monumentet e tij bashkojnë disa kohëra. Ato nisin nga Antikiteti deri në sundimin e Ali Pashës. Njërën prej kalave të tij e ndan nga Butrinti vetëm kanali i Vivarit, që lidh liqenin e Butrintit me detin.

Kurba e vizitorëve të Butrintit është një zigzag. Çuditërisht, ai nuk ka njohur vetëm rritje. Cerova i referohet një statistike prej vitit 2003 deri në shifrat e pritshme të këtij viti. Viti 2003, sipas tij, shënoi më shumë se 52 mijë vizitorë, por dy vitet pas tij pati një rënie, që për të është pak e besueshme dhe enigmatike, duke aluduar për spekulim me biletat e shitura. Në vitin 2006, numri i atyre që vizituan Butrintin, sipas Cerovës, ka qenë shumë pranë 48 mijë vetëve, ndërsa 2007-a solli ngjitjen në kuotën e 53440 turistëve vendas e të huaj, që kaluan portën e Butrintit. Ajo që është e pritshme të shënojë 2008-a në këtë drejtim për Butrintin, është kapja e shifrës rekord prej 57 mijë vetash. Këtë Cerova ia dedikon përkushtimit të stafit të vet, ndër të cilat veçon ato vajza të reja, arkeologe ose jo, që mbajnë hapur portat e Butrintit për 8 orë rresht çdo ditë, edhe pse pagesa e tyre është aq modeste, sa nuk i kalon 150 mijë lekë të vjetra. Por analiza që u është bërë nga stafi i Butrintit shifrave që japin flukset e turistëve të huaj, të zbritur sivjet në terminalin e portit të Sarandës, nxjerr në pah rezerva të reja dhe mangësi të punës së disa prej shoqërive turistike që operojnë në Sarandë e përtej kufirit, në ishullin e Korfuzit. Cerova thotë se vetëm 5-10 për qind e atyre janë drejtuar për të vizituar Butrintin, kur normale dhe e pranueshme do të ishte që 50 për qind e tyre të vizitonin medoemos Butrintin. Një i huaj, që fillimisht Shqipërinë dhe Sarandën i ka njohur nga ato që ka dëgjuar për Butrintin, nuk mund të pranohet të ketë mungesë dëshire për ta parë mrekullinë që quhet Butrint.

Cerova rendit edhe një varg problematikash e vështirësish të tjera, me të cilat janë të detyruar të përballen në përditshmërinë e tyre. Në këtë renditje përmendet së pari fakti që Parku Kombëtar Arkeologjik më i madh në vend është në ruajtjen e vetëm 5 rojeve, në dispozicion të të cilëve nuk është asnjë mjet i vetëm transporti. E, megjithëkëtë, është gati e pabesueshme që një Butrint, i ndodhur kaq pranë Ksamilit të kaosit urbanistik dhe ku lulëzon trafiku i trojeve e informaliteti, të mbetet një model i paprekshmërisë nga "viruset" e tranzicionit. E madje Butrinti është rritur po aq sa e japin vitet që kanë kaluar nga koha kur ai është shpallur monument kulture më 1948-ën, 60 vjet më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›