E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ekspozitë, trofetë e luftës në Gjeorgji dhe krenaria e re ruse

Flamujt e rreckosur gjeorgjianë, uniformat e stilit të NATO-s dhe automatikët amerikanë me të cilët janë pajisur ushtarët e Sakashvillit, zënë një vend jo shumë të madh në Muzeun Qendror të Forcave të Armatosura Ruse në Moskë. Janë trofe të luftës ruse në Gjeorgji vetëm pak javë më parë, të grumbulluara me shpejtësi e në dukje pa ndonjë kujdes. Por, me një mesazh të qartë.

"Tani njerëzit e kuptojnë se kush e nisi këtë", thotë Aleksandër Nikonov, drejtori i muzeut. Nuk e sheh të nevojshme të saktësojë se kush i dha fund.

Bashkë me prenë e luftës në ekspozitën e quajtur "Kaukazi: Pesë ditë në gusht", fotot e shumta e portretizojnë fitoren mbi Gjeorgjinë si absolute. Nëpër stenda janë vendosur fotografi ushtarësh të vrarë pranë tankeve gjeorgjiane, të cilat mbajnë mbishkrimin "Armiku u ndal". Në foto të tjera tregohen fshatarë të armatosur që u bëjnë shenja mirëseardhjeje ushtarëve rusë.

Kjo ekspozitë, e krijuar nxitimthi, kërkon të dërgojë një mesazh që shkon shumë përtej pasqyrimit të fatit të luftës në Gjeorgji.

Askush nuk do t‘ia dijë që Rusia është vënë nën shënjestrën e diplomacisë ndërkombëtare pas ndërhyrjes së pabarabartë në Gjeorgji, të cilën Moska e mbron si reagim emergjent ndaj sulmit gjeorgjian në Osetinë e Jugut, enklava separatiste që shkaktoi konfliktin. Apo njohja e njëanshme e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, një tjetër enklavë separatiste gjeorgjiane, është dënuar gjerësisht në të gjithë rruzullin.

Duket se askush në Rusi nuk e çan kokën për të gjitha këto. Pas dekadash disfatash të sikletshme ushtarake, në Afganistan, në vitet tetëdhjetë, dhe në Çeçeni në vitet nëntëdhjetë, Rusia është përsëri triumfuese.

"Mund t‘i falënderojmë gjeorgjianët për këtë luftë të vogël triumfuese, është shumë e vlefshme për kombin, për Rusinë", thotë juristi 38-vjeçar Oleg Sergienko, i cili po e viziton ekspozitën. "Gjatë 20 vjetëve të fundit, ndjesia e madhështisë ruse në identitetin tonë kombëtar ka rënë", shton Oleg Sergienko, që ka marrë pjesë në një prej luftërave, por nuk pranon të saktësojë se në cilën prej tyre. "Tani gjërat janë ndryshe".

Krenaria kombëtare për të cilën flet Sergienko duket diçka e logjikshme në Muzeun Qendror të Forcave të Armatosura, institucion i themeluar nëntëdhjetë vjet më parë për të nderuar sukseset ushtarake ruse dhe vitet e hershme të Bashkimit Sovjetik.

Ekspozita ku pasqyrohet triumfi në Gjeorgji, e cila është hapur që më 9 shtator, as që mund të krahasohet me pavijonet e atyre evenimenteve që qëndrojnë në themel të këtij identiteti të spikatur. Salla e Triumfit, me përmasa gjigante, zbukurohet nga një shqiponjë gjigante me peshë rreth 500 kilogramë, e marrë nga kancelaria e Hitlerit. Shpendi rrethohet nga një seri famujsh e simbolesh të nazizmit, për kujtim të fitores ndaj Rajhut të Tretë.

Por për syrin amerikan, trofetë gjeorgjianë nuk mund të jenë aq provokues sa mbetjet e avionit spiun amerikan U-2, i rrëzuar në qiellin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1960.

Por, përtej mureve të muzeut, shkaku i saktë i luftës së shkurtër por të ashpër të gushtit mbetet i diskutueshëm, i errësuar nga pretendime etnike dhe akuza të ndërsjella, realpolitikë dhe propagandë rivale. Megjithatë, organizatorët e ekspozitës thonë se ofron prova të qarta që Gjeorgjia, e shtyrë dhe e trajnuar ushtarakisht nga Perëndimi, e mbështetur nga aleatë perëndimorë dhe e pajisur me armë perëndimore, sulmoi një popullsi të pambrojtur, duke detyruar Rusinë që të reagonte.

"Ushtria gjeorgjiane u trajnua nga instruktorë të huaj, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës", thotë Nikonov, i cili është drejtor i këtij muzeu prej 16 vjetësh. "Niveli i militarizimit të Gjeorgjisë dhe shumat e parave të shpenzuara për armatim mbeten padyshim mbresëlënëse".

Nikonovi përmend një listë prej 13 shtetesh që mendohen se kanë ndihmuar në armatosjen e Gjeorgjisë përpara konfliktit, ku përfshihet Ukraina, Izraeli, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ekspozitë, në përmbajtjen e një çante shpine trofe, përfshihet edhe një manual me titull "Gjuha amerikane, niveli katër", i cili i përket një shkolle ushtarake gjuhësh në bazën e Forcave Ajrore Lakland të Teksasit.

Të ekspozuara janë edhe katër pushkë amerikane të tipit M4. Një tjetër fotografi pak më tej tregon një prej mjeteve të shumtë amerikanë tip "Humvees", të konfiskuara muajin e shkuar në Poti, një port gjeorgjian në Detin e Zi. "Nuk është e lehtë t‘i shohësh me sytë e tu këto gjera", thotë një tjetër vizitor, 66-vjeçari Evgeni Ivanov, ish-operator sistemesh kundërajrorë. "Dikur ishim të gjithë bashkë", shton ai, duke iu referuar kohëve të Bashkimit Sovjetik, kur Rusia dhe Gjeorgjia bënin pjesë në të njëjtin shtet.

Duke përsëritur fjalët e liderëve të vendit të tij, përfshi Presidentin Dimitri Medvedev dhe Kryeministrin Vladimir Putin, Ivanov kërkon të bëjë të qartë idenë se qenë perëndimorët ata, që, në njëfarë mënyre, provokuan luftë mes fqinjëve që jetojnë prej shumë kohësh në paqe. "Ishte dikush tjetër që i shty në këtë situatë", shton pensionisti.

As që mund të vihet në dyshim që vende të tjera, kryesisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetën ushtarakisht Gjeorgjinë: amerikanët trajnuan një njësi gjeorgjiane që luftoi në Irak dhe më pas në Osetinë e Jugut. Por qeveria e Shteteve të Bashkuara këmbëngul se zyrtarët e saj të lartë e kanë paralajmëruar vazhdimisht Gjeorgjinë për të shmangur ndonjë përballje të mundshme ushtarake me Rusinë.

E megjithatë, ekspozita në fjalë, i lë vizitorët rusë me përshtypjen se cilado të ketë qenë përfshirja e drejtpërdrejtë e të huajve, përgjegjësia e Gjeorgjisë për hyrjen në konflikt me Rusinë nuk duhet kërkuar vetëm te Gjeorgjia.

22-vjeçarja Ana Ryzhova po shihte me vëmendje fotot e përgjakshme të viktimave civile të sulmeve gjeorgjiane në Tskhinvali, kryeqyteti i Osetisë së Jugut. "Mendoj se duhej bërë një pyetje teksa të gjithë vërenim se Gjeorgjia po armatosej", thotë. "Përse u duheshin ato armë"?

Gjeorgjia po planifikon të hapë një ekspozitë në Gori, ku gjatë një sulmi ajror rus gjetën vdekjen duzina civilë. Do të hapet në një hapësirë të posaçme të muzeut të dedikuar ndaj një prej bijve më të famshëm të Gorit: Stalinit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›