SHBA: Duhet respektuar pavarësia e institucioneve
Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon England, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë, tha se Shqipëria duhet të vazhdojë të respektojë pavarësinë e institucioneve si kusht kryesor për zhvillimin e demokracisë. Ai i bëri deklaratat pas një takimi që pati me presidentin Topi, ku dhe u dekorua me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria ndajnë një partneritet shumë të afërt dhe një miqësi të thellë. Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar së bashku në mënyrë që të ndihmojnë shqiptarët të kapërcejnë efektet afatgjata të komunizmit dhe luftës. Shqipëria ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm duke institucionalizuar reformat aq shumë të nevojshme dhe jam shumë i kënaqur sot gjatë diskutimeve, kur mora sigurimet më të mira që këto reforma do të vazhdojnë, që Shqipëria do të vazhdojë të respektojë pavarësinë e institucioneve të pavarura, të cilat janë aq jetësore për demokracinë në Shqipëri, të cilat do të ndihmojnë vendin tuaj për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe një ekonomi të tillë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqimisht në përkrahje të Shqipërisë dhe ne presim që kjo miqësi dhe këto lidhje të forcohen gjatë viteve në vazhdim”, - tha England.
Presidenti Topi nga ana e tij tha se mbështetja nga SHBA vjen në një moment të rëndësishëm për vendin. “Unë e sigurova z. England, që Shqipëria dhe institucionet e saj, e gjithë politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare jo vetëm e konsideron këtë si një shenjë të çmuar të këtyre marrëdhënieve dhe të suportit që vjen nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por si një moment të angazhimit të plotë për vazhdimin e reformave, reformave politike, institucionale dhe ekonomike në mënyrë që standardet që kërkohen nga Shqipëria të realizohen sa më shpejt të jetë e mundur”, - tha Topi.
Ndërsa kryeministri shqiptar, Sali Berisha, mori angazhimin për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një seancë dëgjimore të Komisionit me Jashtë në Senatin amerikan, ligjvënës të këtij vendi shprehën shqetësim në lidhje me mundësinë e abuzimit në zgjedhjet e ardhshme.
Berisha tha se kishte kërkuar vëzhgues amerikanë për këto zgjedhje. “Unë e informova zoti England për reformat politike, reformat ekonomike dhe reformat e gjithanshme, duke u ndalur veçanërisht në zgjedhjet e ardhshme, ku shpreha vendosmërinë e qeverisë sime për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe parashtrova kërkesën për vëzhgues nga institucionet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këto zgjedhje”, - u shpreh kryeministri.
Ndërsa England ka përsëritur sërish edhe në këtë takim nevojën e institucioneve të pavarura, ndërsa kërkoi që qeveria të vazhdojë reformat. “Gjatë thuajse dy dhjetëvjeçarëve të fundit, Shqipëria dhe SHBA kanë punuar së bashku për të ndihmuar popullin shqiptar të kapërcejë pasojat afatgjata të komunizmit dhe luftës. Përgëzoj udhëheqjen shqiptare dhe popullin shqiptar dhe përparimin domethënës të arritur në përmbushjen e shumë reformave. Nxis si qeverinë, ashtu edhe popullin t’i vazhdojnë këto reforma dhe të respektojnë institucionet e pavarura që do të ndihmojnë vendin tuaj të ndërtojë një demokraci dhe ekonomi të fortë”, - tha England.
Zyrtarët shqiptarë i kanë shprehur zotit England falënderimet e tyre në lidhje me ratifikimin e Protokollit për Anëtarësim në NATO.