Sot KLD mblidhet për deklaratat e Berishës
Në Shqipëri korrupsioni dhe lufta kundër tij është vendosur aktualisht në qendër të polemikave mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka shfrytëzuar trevjetorin e krijimit të kabinetit të tij, si dhe një raport të fundit të “Transparency International”, që vlerësonte përpjekjet e qeverisë në luftë kundër korrupsionit, për të rrënjosur idenë se premtimet me të cilat ai erdhi në pushtet tre vjet më parë për të luftuar korrupsionin ishin mbajtur.
Zoti Berisha sulmoi hapur institucionet e drejtësisë, përfshirë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë që drejtohet nga presidenti Bamir Topi, se nuk kanë ndërmarrë reformat e mjaftueshme. Sipas tij, këto institucione nuk kanë moral për shkak të inkriminimit të tyre në afera korruptive.
Kryeministri tha se në bankën e të akuzuarve nuk është vënë asnjë gjykatës apo prokuror, “edhe kur janë filmuar duke marrë pará”.
Nga ana e saj, opozita i ka cilësuar këto deklarata si presion ndaj organeve të drejtësisë. Kreu socialist, Edi Rama, tha se qeveria e zotit Berisha “është kampione në padituri, papërgjegjshmëri dhe korrupsion”.
Të pyetur nga BBC për të komentuar këto deklarata, drejtues të institucioneve më të larta të drejtësisë kanë nguruar të flasin apo janë shprehur se ende nuk janë njohur me fjalën e kryeministrit.
Ndërkohë, nuk kanë munguar reagimet nga radhët e gjyqtarëve.
Manjola Bejleri, kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve, i tha BBC se akuzat nga nivele të tilla duhet të jenë konkrete, ndërsa “përbaltja e gjyqësorit nuk është në të mirë të tij”.
Avokati Artan Hajdari, ndërsa pranon ekzistencën e fenomenit të korrupsionit në organet e drejtësisë, kujton se në demokraci nuk ka dënim kolektiv. Në kontekstin e kësaj analize, avokati Hajdari nënvizon se në hierarkinë e organeve të drejtësisë secili duhet të bëjë detyrën e tij.
Deklaratat e zotit Berisha po shihen edhe në fokusin e zhvillimeve më të fundit që lidhen me tragjedinë e Gërdecit.
Për analistin Lutfi Dervishi, ndonëse duhen pranuar disa përparime në luftë kundër korrupsionit, gjithçka mund të tingëllojë edhe si presion politik.
Në ditët e ardhshme priten reagime të mëtejshme rreth kësaj çështjeje. Burime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëjnë të ditur për një mbledhje të tij ditën e mërkurë.