Ministria e Brendshme: Kartat mund të tërhiqen deri sot në orën 17:00
Zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të qëndrojnë të hapura edhe gjatë ditës së sotme, deri në orarin zyrtar të mbylljes së votimit. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, informoi dje urdhrin e fundit, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë aplikuar, por që nuk i kanë tërhequr ende kartat e identitetit, mund t’i tërheqin ato sot deri në orën 19:00. Sipas Konjës, ky vendim lidhet me qëllimin që qytetarët që nuk kanë tërhequr ende kartën e tyre të identitetit ta marrin atë dhe të kenë mundësi të votojnë. “Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin, gjithashtu dhe për t’ua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit, zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të funksionojnë edhe nesër gjatë gjithë ditës, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme. Për personat pa pasaportë dokumenti i identitetit është i vetmi dokument që u jep mundësi të realizojnë nesër të drejtën e votës. Një tjetër mundësi për të votuar është dhe përdorimi i pasaportave. Ministria e Brendshme u ka bërë apel të gjithë aplikuesve që të tërheqin kartat dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të ligjshme për të votuar. “Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë kohën dhe lehtësitë e krijuara, të tërheqin letërnjoftimet për të cilat kanë aplikuar dhe të ushtrojnë të drejtën e ligjshme për të votuar”, - thuhet në deklaratë. Në fund të mesazhit Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të dëshmojnë vullnetin dhe përkushtimin e tyre maksimal për zgjedhje të qeta, të lira e të ndershme, dhe sigurisht, duke respektuar standardet ndërkombëtare të zhvillimit të procesit zgjedhor.
28 Qershor 2009