Biksente Lizarazu: Franca ime, çfarë fati, por largo Domenekun
Francës i eci mirë. Biksente Lizarazu, ish-kampioni i botës (1998) dhe i Europës (2000), e pranon pa shumë xhiro fjalësh, por nuk humbet rastin të kritikojë sërish Rajmond Domenekun, që sipas tij është problemi i vërtetë i një kombëtareje, e cila "nuk të inspiron asnjë simpati, por as besim për të ardhmen". Zgjidhja kalon nga ish-kolegët Laurent Blank ose Didier Deschamps. Nëse për Domenk grupi A do të përballohet me kujdes, "ndeshje pas ndeshjeje", për ish-lojtarin e Bajernit të Mynihut, të kthyer në opinionist futbollistik për televizione apo për radio, nuk mundej të shkonte më mirë: "Franca është në grupin më të mirë, ashtu si Spanja. Kundërshtarët janë thuajse të gjithë njëlloj. Uruguai nuk është më ai i 10 viteve më parë, Afrika e Jugut nuk rezervon surpriza dhe Meksika, edhe pse paksa e padeshifrueshme, mund të mundet". Të paktën në letër. Por në praktikë është e gjitha një histori tjetër. Franca është ekipi që u tregua i paaftë të imponohej gjatë eliminatoreve, dhe e preu biletën për në Botëror vetëm me një gol të diskutueshëm. Por faji nuk është i Henrisë, por i Domenek. "Në këtë Francë, analizon Lizarazu, nuk funksionon asgjë dhe përgjegjësi i vetëm është Domenek, i cili edhe pse e drejton prej kohësh, nuk mundet të japë asnjë ide për lojën e një skuadre të pasur me talente, por të cilët nuk arrijnë të gjejnë veten". Problemi është taktika. Shembulli: "Mbrojtja e ekuilibruar dhe menaxhimi i sulmit: nuk mund ta fusësh Henrin e Anelkanë të luajnë si regjistë, duke sakrifikuar të mrekullueshmin Gurkuf. Kështu dalin në pah të gjitha limitet e një trajneri, i cili nuk ka fituar kurrë në jetën e tij, përveç një promovimi në Ligue 1". "Domenek, vazhdon Lizarazu, nuk vlen hiç në krahasim me Lipin, Kapelon, Trapatonin, të cilët të imponojnë respekt vetëm me trofetë që kanë fituar. Domenek duhej të ishte ndryshuar pas dështimit në Europianin 2008, ndërsa vazhdon të menaxhojë kombëtaren me arrogancë, me një komunikim shkatërrimtar, i cili po vë në pikëpyetje ekuilibrin e grupit". Dhe këtu hyn në lojë edhe federata franceze, e cila "duhet ta largojë sa më parë që të jetë e mundur".