E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramozi mundet 1-2 nga Laçi, por miqtë i përzënë me gurë

Laçianët marrin një fitore të ngushtë 2-1 në Ersekë ndaj Gramozit, por vuajnë shumë për këtë fakt. Një ndeshje ku mësohet se ka munguar "fair-play". Madje nuk mungojnë zërat për ushtrim dhune. Pas 77 minutash lojë, Laci ka zhbllokuar rezultatin me golin e Norës. Në minutën e 90-të ka dyfishuar Jushi. Vendasit vetëm kanë mundur të ngushtojnë në 2-1 me një gol të Hysenit. Pas golit të Norës, situata në fushë është tensionuar. Sepse, sipas reklamimit që kanë bërë drejtuesit e Laçit, janë bërë pjesëmarrës edhe tifozët vendas, që 10 minuta para mbarimit të lojës e deri në fund kanë filluar të gjuajnë me gurë lojtarët miq, duke e bërë gati të pamundur vazhdimin e ndeshjes. Duke folur për çfarë ka ndodhur në stadiumin e Ersekës, Julian Brahja, kapiteni i Laçit, është shprehur: "Jemi shumë të shokuar nga ajo që ngjau në fundin e ndeshjes. Vërtet ne dolëm me 3 pikë nga Erseka, por hidhërimi për mënyrën se si u sollën lojtarët vendas dhe tifozët kolonjarë ndaj nesh kalon çdo gëzim për rezultatin. Mund të them se ndeshja ishte e fortë dhe i kaloi caqet gjatë tërë lojës, por 10 minuta para mbarimit të kohës së rregullt çdo gjë nuk u mor më vesh. Tifozët vendas filluan të godisnin me gurë, nga të gjitha anët, kështu që ne ishim të detyruar të përqendroheshim në mesin e fushës, për të mos pësuar ndonjë traumë të rëndë. Nuk bëhej fjalë më për të ekzekutuar një goditje këndi apo rivënie në lojë nga ana e stadiumit, ku ndodhej tifozeria, sepse i haje gurët kokës, kështu që fundi i lojës ka qenë një rrëmujë e madhe. Si të mos mjaftonin tifozët, që filluan të na godisnin me gurë, edhe lojtarët vendas u treguan tepër armiqësorë me ne. Mund t‘ju konfirmoj se një lojtar i Gramozit, në mos gabohem Zeneli, ka goditur me grushte lojtarin tonë mbrojtës, Nina, duke e lënë pa ndjenja atë, në një moment kur nuk bëhej fjalë fare për futboll", përfundoi Brahja.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›