Tirana kërkon fitoren me çdo kusht në Korçë
Skënderbeu-Tirana do të jetë një nga dy ndeshjet e prapambetura të javës së 13-të të Kategorisë Superiore, e cila do të zhvillohet sot. Për bardheblutë tashmë nuk mund të lejohen më hapa falsë. Ritmi i tyre duhet mbajtur vetëm falë fitoreve, sepse vetëm kështu do të mund të ruajnë ende ato pak shpresa për të luftuar për titull me Dinamon. Trajneri Alab Pafaji është i qartë në atë çfarë do të kërkojë sot prej të tijve. "Vetëm fitore, shprehet tekniku. Na duhen me çdo kusht 3 pikët. Besoj shumë te skuadra ime, te të gjithë lojtarët, sulmuesit, mesfushorët e mbrojtësit për arritjen e këtij trepikëshi". Megjithatë Tirana nuk pritet ta ketë të lehtë, pasi korçarët do të kërkojnë të marrin pikë të vlefshme për t‘iu shmangur fundit të renditjes. Skuadra është nisur pasditen e djeshme në drejtim të qytetit juglindor të Shqipërisë, ku janë akomoduar në pritje të takimit të sotëm. E vetmja mungesë për bardheblutë në këtë sfidë pritet të jetë ajo e Bicajt.
A. M.
A. M.