E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanc lufte në Korçë 8 të ndaluar, 11 të lënduar

SHKRUAN: Irena Vreto 20-08-2011 10:20

Trazirat e Superkupës shoqërohen me ndalime të shumta, proçedime penale për tetë persona. Policia e Korçës në deklaratën e saj për shtyp ka informuar lidhur me ndalimin dhe më pas ndjekjen penale në gjendje të lirë për plot tetë tifozë të Skënderbeut. Ajo që bie në sy është fakti se policia juglindore nuk raporton asnjë ndjekje penale për tifozët kryeqytetas, ndonëse është parë live gjatë transmetimit të ndeshjes kur ata kanë përdorur mjete ndezëse në staium të cilat fillimisht i hodhën në fushë dhe më pas te tifozët e Skënderbeut. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Korçës, mësohet se gjatë të premtes ka nisur proçedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: Theodhoraq Çipi 33 vjeç, banues i lagjes 14 në Korçë, Sonil Jovan 29 vjeç banor i lagjes 13 po në Korçë, Nandi Firaj 39 vjeç banues i fshatit Drenovë në rrethin e Korçës si dhe Elvis Lera 28 vjeç banor i lagjes 3 në qytetin juglindor. Gjatë orëve të pasdites të të premtes janë ndaluar dhe më pas i janë nënshtruar proçedimit penal edhe shtetasit: Arqile Zhidro 21 vjeç banues në lagjen 10 Korçë, Vangjush Shule 25 vjeç banor i lagjes 4 në këtë qytet, Johan Tamushi 28 vjeç banues në lagjen 6 Korçë, si dhe Armand Buda 32 vjec banues i lagjes 10. Të gjithë këta shtetas rreth orës 20.30 të të enjtes bën të ditur njoftimi për shtyp i Drejtorisë së Policisë në Korçë kanë prishur rendin dhe qetësinë publike duke hedhur sende të forta si bidona plasitikë, gurrë, fishekzjarre etj., ndaj tifozëve të Tiranës. Të lartpërmendurit akuzohen për veprën penale “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike. Këta tifozë mësohet se kanë qënë të ndaluar dhe e kanë kaluar natën e tyre në ambientet e komisariatit të Korçës bashkë me të paktën 20 persona që policia lokale ka shoqëruar gjatë zhvillimit të ndeshjes së Superkuëps Skënderbeu-Tirana, por dhe pas përfundimit të saj. Ndërsa të tjerët pasi janë marë në pyetje janë lënë të lirë, ndaj të lartpërmendurve ka nisur proçedimi penal. Por të njëjtat burime të policisë lokale kanë bërë të ditur se nga ana e policisë është duke u punuar për identifikimin dhe shoqërimin e disa personave të tjerë të cilët para fillimit të ndeshjes kanë shkaktuar probleme duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Për këta persona të cilët mendohet të jenë të paktën 6 vetë, policia disponon materiale filmike, teksa në bazë të tyre janë duke u zhvilluar dhe kërkimet për gjetjen e tyre. Situata e mbrëmjes të të enjtes në stadiumin e Korçës ka qënë ndër më të vështirat, ndërkohë që përdorimi i gazit lotsjellës mes të tjerave nga tifozët e Tiranës ka shkaktuar jo pak probleme, ndërsa disa fëmijë dhe të rinj kanë pësuar gjendje të fikti nga kjo situatë. Tifozët e ekipit të Tiranës, pasi “kanë mbajtur peng” për më shumë se një orë zhvillimin e kësaj finaleje të rëndësishme që luhej për herë të parë në qytetin e kitarave, kur kanë zënë vend në tribunën C përkrah tifozëve të Skënderbeut, kanë sjellë probleme të tjera që u shoqëruan nga ana tjetër më pas më shumë se 11 të dëmtuar. Bilanci sipas autoriteteve spitalore flet për 11 vetë të cilët kanë marë ndihmë mjekësore në urgjencë e këtij spitali. 6 shtetas nga Korça dhe 5 të tjerë nga Tirana iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. Ata kishin me plagë dhe fraktura të ndryshme që vinin nga goditjet me mjetet forta si gurë, apo dhe plagë të shkaktuara nga lëndë djegëse.

Irena Vreto

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›