E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF kërkon të shpëtojë nderin: Fajin e kanë tifozët e Tiranës

Organizatorja e finales së Superkupës kërkon të driblojë incidentet e ndodhura në Korçë. Sipas saj, kanë qenë një grup ultrasish bardheblu iniciatorët e dhunës

Ka qenë organizatorja e finales dhe për pasojë fajtorja për incidentet e ndodhura, por Federata Shqiptare e Futbollit kërkon ta heqë përgjegjësinë nga supet e saj dhe ta hedhë mbi tifozët e Tiranës dhe drejtuesit bardheblu. Në komunikatën për shtyp të publikuar dje, FSHF tregon versionin e saj të fakteve, duke anashkaluar detaje si futja e tifozëve nga një derë e vetme etj. “Përpara fillimit të ndeshjes, një grup tifozësh të Tiranës kanë tentuar të hyjnë pa bileta në vendin e caktuar për ta në tribunën përkarshi. Më pas, një pjesë e tyre që ishin vendosur në stadium në pjesën e caktuar për ta edhe sipas marrëveshjes me klubet, dolën jashtë stadiumit duke u bashkuar me grupin tjetër të cilët këmbëngulnin të hynin në stadium pa bileta. Delegati i ndeshjes dhe drejtuesit e FSHF-së, prezent në stadium, mori kontakt me drejtuesit e të dy klubeve dhe policinë për të siguruar hyrjen normale të tifozëve të Tiranës në stadium dhe fillimin e ndeshjes. Drejtuesit e Tiranes u garantuan se vendet e caktuara për tifozët e Tiranës mbeteshin në dispozion të tyre ndërkohë sportelet e shitjes së biletave ishin në funksionim normal. Megjithkëtë, ekipi dhe drejtuesit e “Tiranës” nuk pranuan të fillonin lojën me pretekstin se kërkonin vendosjen në stadium të tifozëve të tyre. Ndërkohë skuadrat kishin dalë në fushën e lojës dhe ishte ekzekutuar edhe Himni i Flamurit. Pas insistimit te drejtuesve të Federatës dhe ndërhyrjes së presidentëve të klubeve loja filloi me një orë vonesë ndërkohë qe grupi prej rreth 200 tifozë të Tiranës, ishte instaluar në pjesën e caktuar për ta. Dhjetë minuta nga fillimi i ndeshjes, loja u nderpre për shkak se nga grupi i tifozëve të Tiranës u hodhën në fushë dhe drejt vendeve të tifozëve korçarë fishekzjarrë dhe gazlotsjellës. Kjo u shoqërua më pas dhe me invadimin e fushës nga tifozë të të dyja palëve. Pas kesaj, skuadra e Tiranës u largua nga fusha ndërsa tifozët e saj dolën nga stadiumi. Pas kumunikimit me delegatin e ndeshjes, ekipi i Tiranës u rikthye në fushë dhe loja filloi dhe u zhvillua normalisht deri në përfundimin e saj. Federata, thellësisht e shqetësuar për këtë ngjarje, e cila nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe frymën “Fair Play”, dënon ashpër ideatorët dhe e siguron opinionin futbolldashës se kjo ngjarje do të merret në shqyrtim nga organet e disiplinës dhe rregullorja do të zbatohet pa asnjë lëshim. Në të njëjtën kohë, FSHF angazhohet për perpjekje më intensive me klubet, policinë, sportdashësit dhe gjithë faktorët e tjerë për shmangien e situatave të tilla në të ardhmen. Duke shprehur edhe një herë mbështetjen për lojën e ndershme dhe futbollin e pastër, FSHF bën thirrje për ndërgjegjësimin e të gjithëve se akte të tilla dëmtojnë rëndë imazhin dhe të ardhmen e futbollit tonë.”

Tifo-grupi

“Fanatics”: Federata shpif

Grupi i tifozerisë së organizuar të Tiranës, “Fanatiks”, e cilëson komunikatën për shtyp të Federatës Shqiptare të Futbollit si të mbushur me fakte dhe njoftime jo të vërteta. Në njw komunikatë tw tyren, antarët e këtij grupimi bëjnë me dije se pretendimi i federatës se shumë prej tyre ishin futur pa biletë në stadium dhe se prej tyre u hodh gaz lotsjellës është tërësisht i pavërtetë. Njëkohësisht, ata ndihen të ofenduar për qëndrimin e njëanshëm, duke theksuar se sjellja e tifozëve ultras korçarë, të cilët qëlluan me gura dhe shanë në kor, me disa syresh që tentuan të godisnin edhe vetë futbollistët, meriton që gjithashtu të dënohet ashpër nga institicioni më i rëndësishëm i futbollit shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›