Dimraj: Treguam se në kampionat na kanë vjedhur!
Shefi i klubit bardheblu, Rauf Dimraj, pas triumfit në Superkupë, u rikthehet akuzave për kampionatin e dobët të zhvilluar si dhe premton dy blerje të tjera për përforcimin e skuadrës. Gjithashtu largon tymnajën e ditëve të fundit: nuk dorëhiqet
Kanë kaluar 270 minuta horror në Korçë, por janë kthyer duarplot. 24 herë kampionët e vendit kanë bërë të tyren Superkupën pas triumfit dramatik 1-0 në stadiumin “Skënderbeu”. Prag-ndeshja ishte vërtet ngjethëse me tifozëritë që krijuan probleme të shumta, situatë e cila rrezikoi të degjeneronte në dhunë masive, megjithatë, bardheblutë arritën të përballonin me dinjitet edhe mësymjen e ultrasve të Skënderbeut, që nuk ngurruan të futeshin në fushë për të goditur me gurë e sende të tjera të forta lojtarët e Tiranës. Sidoqoftë, për shefin Dimraj, nuk ishte vetëm ky problemi i madh i finales. Caktimi i gjyqtarit Enea Jorgji ishte një provokim i vërtetë, pasi ky gjyqtar ka ndikuar në disa humbje apo barazime në kampionatin e shkuar. “Sikundër e patë, na pritën shumë keq, - nis prononcimin e tij shefi Dimraj -. Por nuk është këtu problemi më i madh. Ajo që u vërtetua nga finalja e Superkupës është dëmi me dashje që i është bërë Tiranës në sezonin e fundit. Na janë vjedhur 19 pikë, një pjesë e tyre nga gjyqtari Enea Jorgji, të cilin e kontestuam përpara fillimit të sfidës, megjithatë në ndeshjen e Korçës ai gjykoi me korrektesë dhe uroj që të vijojë kështu. Megjithatë vendosëm mos ndërpresim ndeshjen dhe morëm atë që meritonim. Dua të ndalem pak te paraqitja e skuadrës. Ekipi i Tiranës tregoi edhe njëherë se është skuadra më e mirë në vend. Trupa e gjyqtarëve ka bërë të mundur sezonin e shkuar që ne të mos ishim në gjendje për të luftuar për titullin kampion pasi urdhrat ishin që të fitonin të tjerët,” ka akuzuar shefi Dimraj, që kërkon të kthejë në vend nderin e 24-herë kampionëve.
Edhe dy blerje
I pyetur në lidhje me merkaton bardheblu, Dimraj tregon se ajo nuk është mbyllur ende. Shefi i Tiranës ka ndërmend të sjellë edhe dy lojtarë për trajnerin spanjoll, Rubio Sanchez, për ta bërë skuadrën edhe më të plotë në luftën për titullin kampion. “Vërtet treguam se jemi në formë shumë të mirë dhe se kemi një skuadër të denjë për titull, por merkato nuk është mbyllur. Do të tentojmë edhe dy përforcime cilësore,” theksoi Rauf Dimraj.
Dorëheqje? As që bëhet fjalë
Pasi sqaroi situatën aktuale te Tirana, Dimraj mendon të vendosë pikat mbi “i” edhe në lidhje me fjalët e hapura rreth një dorëheqjeje të mundshme nga klubi bardheblu pas Superkupës. “Dorëheqja? Së pari unë nuk kam arsye që të jap dorëheqje. Tirana është ndërtuar në mënyrë të atillë për të qenë kampione. Kemi fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Forma e treguar nga Tirana ka qenë e mirë. Edhe në anën strukturore, infrastrukturore, Tirana është rritur shumë profesionalisht dhe kjo nuk më bën të mendoj dorëheqjen. Por ka një fakt tjetër. Unë kam arritur moshën e pesionit, por është një procedurë ligjore në mes të cilën do ta shqyrtoj me kujdes përsa i përket disa detajeve personale. Por dorëheqje unë nuk jap,” ka përfunduar prononcimin e tij Rauf Dimraj, shefi i klubit bardheblu.