E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci 3 mujor, Kosova: Auditimi i tenderave, abuziv. Kemi kursyer 2.8 mln €

TIRANE - Në një dalje për mediat Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova ka sqaruar arsyet e vonesës së furnizimit të spitaleve me medikamente, duke garantuar se ky makth për pacientët do të marrë fund brenda muajit korrik, pas nënshkrimit të kontratave.

“Nga rishikimi i procedurave tenderuese janë kursyer 2,8 milion euro qe do ti rikthehen pacientit”- u shpreh ministri, i cili falenderoi edhe donatorët që mundësuan sigurimin falas të disa medikamenteve tepër të shtrenjta.

“Deri tani kemi kursyer 2.8 milionë euro dhe këto do rriten dhe pak nga këto tenderat e fundit. Me këtë fond që ne na krijohet i kemi të gjitha mundësitë që në mënyrë shumë të shpejtë të sigurojmë interferonin për të gjithë pacientët me probleme nga dializa. Këto dy ditë na vijnë nga SHBA katër ilaçe shumë të rëndësishme, për të cilët duhet të jem i sinqertë, Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT ka paguar vetëm transportin dhe ato vijnë të gjitha falas.”- deklaroi Kosova.

Ministri ka listuar edhe disa nga problematikat ende të pazgjidhura në shëndetësi.
“Komunikimi korrekt me personelin mjekësor, pastërtia e ambienteve që nuk kushton fare, do vetëm dedikim nga çdo njëri nga ne, janë dy hallka shumë të rëndësishme që e përmirësojnë deri në 65% imazhin e sektorit shëndetësor.” - u shpreh ministri.

Për të monitoruar rrugëtimin e medikamenteve nga magazina spitalore deri tek pacienti do të ngrihet edhe një taskforcë e posaçme, ndërkohë që për t’i vënë fre akteve korruptive figuron edhe një numër kontakti, për të denoncuar fenomenin mes bluzave të bardha.

“Sistemi shëndetësor do të ketë të gjithë këtë listë medikamentesh, sepse kam informacione që përpara hynin e dilnin fatura, pa qenë malli fare brenda, por kjo është procedurë në vazhdim që Ministria e Shëndetësisë ka në vëmendje.”- tha Kosova.

Ministri i Shëndetësisë tha se aparaturat e reja diagnostikuese në spital do të funksionojnë 24 ore pa ndërprerje, pasi lënda e parë nuk do të mungojë më. Ai theksoi se po shikohet mundësia që të plotësohet edhe stafi i nevojshëm.

Në fund, kreu i shëndetësisë i bëri thirrje strukturave më të larta shëndetësore që të vijojnë me përkushtim punën, pa u ndikuar nga rotacioni politik.

“Rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit nuk duhet të na uli ritmin dhe nuk duhet të na çmobilizojë për të bërë gjënë më të mirë për pacientin.”- deklaroi Kosova.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Bilanci 3 mujor, Kosova: Auditimi i tenderave, abuziv. Kemi kursyer 2.8 mln €

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›