E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, sekuestrohet 1 ton drogë në skafin që vinte nga Shqipëria, në pranga 4 vlonjatë

ITALI – Autoritetet italiane sekuestruan një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike të llojit marijuanë, që dyshohet se vinte nga Shqipëria dhe arrestuan katër shtetas shqiptarë.

Operacioni i policisë italiane u krye në brigjet e Otrantos, ku u sekuestrua rreth 1 ton marijuanë, në një skaf që ishte nisur nga Shqipëria.

Siç bëjnë të ditur mediat italiane, skafi i mbushur me çanta me drogë është pikasur mbrëmjen e së enjtes nga një helikopter që patrullonte në afërsi të brigjeve të Otrantos.

Katër skafistët shqiptarë arritën të nxirrnin lëndën narkotike në breg dhe më pas tre prej tyre u larguan, ndërsa njëri u kap pranë çantave që përmbanin saktësisht 1104 kg drogë, e destinuar për shitje në tregun italian.

Policia vijoi kërkimet për 3 personat e tjerë që ndodheshin në mjetin lundrues, duke bërë të mundur arrestimin e tyre pak orë më vonë.

Momentalisht nuk bëhet i ditur identiteti i të arrestuarve, ndërsa policia italiane konfirmoi se ata janë të gjithë shtetas shqiptarë, nga Vlora. Policia publikoi inicialet dhe moshën e tyre, B.Z 26 vjeç, B.D 25 vjeç, D.F 23 vjeç, V.T 40 vjeç, si dhe fotografitë me sytë të mbuluar.

Ndërkohë autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Foto të drogës dhe të arrestuarve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›