Bilanci i Berishës rikthen në detyrë të majtën
Partitë opozitare reaguan pas bilancit që publikoi Kryeministri
Opozitarët kanë ndërprerë pushimet dhe iu janë rikthyer konferencave të shtypit
Bilanci 7-mujor i Kryeministrit Sali Berisha ka prishur pushimet e partive të majta, të cilat nuk kanë duruar për të dhënë gjykimin e tyre. Për herë të parë gjatë muajit gusht, pothuajse të gjithë partitë opozitare parlamentare kanë reaguar përkundrejt deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha, duke vendosur rikthimin në debatet e ditës. Partia Socialiste ka organizuar dy konferenca për shtyp, ku kësaj here nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i është rikthyer çështjes së Gërdecit. Braçe foli për herë të parë nga zyra e tij në Kuvend gjatë këtij muaji, edhe pse vetëm pak javë më parë realizonte konferenca të përditshme. Nga ana tjetër, nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, reagoi për standardet e informacionit në Shqipërisë. “Kryeministri nuk ka marrë asnjë veprim administrativ, jo më ndonjë reformë institucionale e ligjore pas kësaj ngjarjeje”, - tha Erion Braçe gjatë konferencës për shtyp. Në bilancin e një ditë më parë, Kryeministri Berisha do të theksonte “hetimin më të plotë dhe të gjithanshëm të kësaj ngjarjeje”. Përfaqësuesi tjetër i PS-së, Bushati, tha se “duke iu referuar studimit të fundit të Forumit Ekonomik Botëror mbi Teknologjinë e Informimit për vitin 2008, Shqipëria renditet në vendin e 108-të nga 127 vende që janë në listë”. Në ditën e djeshme nuk mungoi as një konferencë për shtyp e Partisë Socialdemokrate. Deputetja e kësaj partie, Diana Çuli, tha se gjatë këtij 7-mujori të këtij viti ka pasur dështime. “Këto 7 muaj qeverisje nuk janë 7 muaj suksesesh, por 7 muaj dështimesh, që kanë përfunduar këtë verë me kufizime të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm”, - tha Çuli. Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm, Petrit Vasili, i cili u shpreh se qeveria ka pasur dështime gjatë 7 muajve të parë të këtij viti. Sipas tij, rrogat janë ulur, si dhe vendi nuk ka energji elektrike apo ujë të pijshëm. “Ne jemi këtu për t’i kujtuar Sali Berishës se duhet të gjejë një popull tjetër për ta mashtruar e tallur, sepse shqiptarët prisnin dje që Kryeministri i tyre me kokë të ulur të kërkonte dorëheqjen, sepse premtoi 6000 km rrugë dhe nuk mbylli asnjë segment rrugor, sepse premtoi drita dhe ujë 24 orë, ndërsa Tirana disa metra larg zyrës së tij dergjet pa ujë dhe në errësirë, sepse qindra e mijëra pensionistë e buxhetorë janë varfëruar ekstremalisht, sepse rritja katastrofike e çmimeve, e energjisë elektrike, e karburanteve etj., ua kanë ulur pensionet dhe rrogat duke bërë më pak se zero rritjet e minimale dhe shumë larg premtimeve të qeverisë, qindra-mijëra shqiptarë prisnin legalizimet e ndërtimeve të tyre të premtuara që në 2006-n, e ku asnjë tapi nuk është lëshuar, prisnin ndërtimin e veprave energjetike për të zgjidhur problemin e energjisë, e ku asnjë e tillë nuk është ndërtuar”, - tha Vasili. Partitë e majta duket se i janë rikthyer tashmë aktivitetit të tyre opozitar. Dy javët e para të gushtit kanë mjaftuar mesa duket për t’u rikthyer të rigjeneruar në politikën e ditës. Përpara, siç e theksoi edhe Kryeministri Berisha, ndodhet viti paraelektoral, ndaj dhe të majtët do të kërkojnë shansin e tyre.