KESH-i nis blerjen e energjisë për muajt prill-qershor
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare hapi tenderin për blerjen e energjisë elektrike për periudhën prill-qershor. Ky tender u çel për blerjen e energjisë së nevojshme për tre muajt e tjerë në vazhdim. Hapja e ofertave konsistonte në çeljen e ofertave për procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur mbi kufirin e lartë monetar” me objekt blerje e energjisë për tre muajt në vazhdim dhe e ndarë të tre lote. Për lotin e parë që i përket fillimit të prillit deri më 30 prill sasia e energjisë elektrike është 400 MW, ndërsa çmimi është 68.71 euro/mWh. Për lotin e dytë 1 maj-31 maj sasia e kërkuar është 300 MW dhe çmimi respektiv 69.65 euro/mwh. Kurse për lotin e tretë sasia e energjisë elektrike e kërkuar nga Korporata është po 300 MW dhe çmimi përkatës 74.62 euro/mwh. Nga KESH-i bëhet e ditur se në procesin e hapjes së tenderit për blerjen e energjisë për tre muajt e ardhshëm u paraqitën tetë kompani ETEL, Zvicër, RE (Ratia Energi), Çeki, Rudnap, Serbi EFT, Zvicër dhe Espada Ceki. Në përfundim të kësaj procedure, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave komunikoi dje se në vijim do të shqyrtohen oferta dhe do t’i japim një njoftim zyrtar firmave, ndërsa në fund të muajit priten të shpallen firmat fituese. Sipas tabelave të çmimeve që i janë ofruar firmave të huaja në shitjen e energjisë elektrike, vihet re se çmimi më i ulët është ofruar nga firma zvicerane ATEL. Ndërkaq, çmimi më i lartë në këtë tender është ofruar nga firma çeke Espada. Firmat pjesëmarrëse në këtë tender janë pothuajse të njëjtat firma që marrin pjesë në çdo tender, që KESH-i zhvillon çdo tre muaj. Ky tender bëhet në kuadër të nevojave periodike për energji elektrike që ka vendi dhe blerjet që zhvillon Korporata Elektroenergjetike Shqiptare çdo tre muaj. Pritet që në fund të muajit të shpallen dhe fituesit e këtij tenderi për blerjen e energjisë elektrike. Deri tani, situata energjetike konsiderohet e stabilizuar, ndërsa pritet që financat e KESH-it të shtohen pas zbatimit të tarifave të reja të energjisë elektrike, të cilat u fiksuan këtë muaj nga ERE.
Prodhimi i brendshëm
Aktualisht vendi ynë është duke prodhuar energji të bollshme energjetike. Niveli hidrik në Hidrocentralin e Fierzës dhe në hidrocentralet e tjera llogaritet në kushte optimale. Pothuajse 12 milionë kW/h energji prodhohen në vend, pjesa tjetër është e importit.
Konsumi
Konsumatorët shqiptarë furnizohen me energji të pandërprerë. Nevojat e konsumit të përditshëm prej 16 milionë kW/h plotësohen sistematikisht nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila është duke administruar furnizimin mes prodhimit dhe importit.
Blerja
Për tre muajt e ardhshëm, prill-qershor, KESH-i çeli ditën e djeshme tenderin e kësaj periudhe. Në tender morën pjesë tri firma të huaja që ofruan tregtimin e energjisë elektrike me çmime të ndryshme. Llogariten rreth 51 milionë euro për blerjen e 1224 MW/h.
19 Mars 2008