E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Albdemil", tatimorët asnjë kontroll fabrikës së vdekjes

Administrata Tatimore pretendon se nuk ka qenë në dijeni të ekzistencës së një fabrike private për demolimin e lëndëve plasëse dhe municioneve luftarake, në fshatin Gërdec të Tiranës. Këtë e tregon dëshmia që ngrihet prej zyrtarëve të tatimeve, të cilët thonë se nuk kanë kryer asnjë kontroll më parë në këtë fabrikë dhe se nuk kishin dijeni për aktivitetin e saj dhe as për punonjësit. Ky është një nga faktet që bën që tragjedia të ketë përmasat edhe të një skandali, në të cilin janë të përfshirë në afera shumë institucione dhe individë të administratës shtetërore. Pikërisht fakti se në këtë fabrikë nuk është kryer asnjë inspektim bën që të dyshohet për këtë veprimtari si e gjitha kundravajtëse. Kontrollet që duhej të realizoheshin së pari nga ana e specialistëve të çarmatimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nga ana tjetër e Tatimeve për të kontrolluar aktivitetin financiar dhe numrin e punonjësve të punësuar kanë munguar. Asnjë punonjës i Tatimeve apo specialist ushtrie nuk ka bërë asnjë aktkontrolli në këtë fabrikë, që deri në momentin e përjetimit të një shpërthimi me përmasa nukleare ka rezultuar e padukshme për të gjitha institucionet shtetërore. Kanë qenë vetë Tatimet e Tiranës që kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se nuk kanë kryer kontrolle në këtë fabrikë për numrin e punonjësve që kanë qenë të punësuar në të. Në këto kushte, nuk mund të flitet për kushtet e punës, të cilat në një shtet normal, me rregulla minimale dhe standarde, do të duhej të ishin nën kontrollin e organeve përkatëse. Sipas listave të bëra publike nga ana e vetë firmës "Albdemil", vetëm në ditën e tragjedisë kanë qenë në punë 121 punonjës, ndërsa të regjistruar në organet tatimore kanë qenë vetëm dy punonjës, që nuk përfshihen në listën e atyre që kanë qenë prezent në momentin e tragjedisë. Fabrika "Albdemil" merrej me demolimin e armëve dhe gjatë muajit të fundit ishte duke çmontuar një sasi të madhe predhash topi të kalibrit të madh. Sipas vetë punëtorëve që kanë qenë të punësuar në këtë fabrikë, ata nuk ishin të siguruar dhe kushtet në të cilat kryhej demolimi ishin tërësisht jashtë standardeve të sigurisë që kërkonte ky proces. Gjatë pasdites së djeshme, Prokuroria ka shoqëruar administratorin e firmës "Albdemil" Mihal Delijorgjin, ndërsa është shoqëruar edhe drejtori i firmës shtetërore "MEICO" dhe dy persona të tjerë, punonjës të "MEICO".

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›