Mrekullia shpëtoi depozitat e gazit në Vorë nga predhat
VORË- Vetëm 300 metra në vijë ajrore larg autostradës Tiranë-Durrës dhe 1 km larg vendit ku ndodhi shpërthimi në Gërdec të Vorës ndodhet një impjant gjigant depozitash gazi të lëngshëm. Këto depozita që prej kohësh i bënin karshillëk qytetit të vogël të Vorës thuajse shpëtuan nga një mrekulli ditën e 15 marsit pa shpërthyer. Duket sikur ka qenë pikërisht “dora” e Zotit ajo që i ka mbrojtur ato bombola gjigante nga shiu i predhave të paplasura që mbollën të gjithë zonën përreth tyre nga shpërthimi gjigant i së shtunës. Banorët e Vorës janë shprehur se në rast se cisternat do të shpërthenin, situata do të ishte alarmante. “Do të digjej jo vetëm Gërdeci që u dogj, por Vora dhe mbarë Tirana”, - shprehen banorë të indinjuar që jetojnë pranë depozitave çdo ditë. Banorët kanë bërë thirrje që të largohen menjëherë depozitat e gazit që të mund të jetojnë të qetë pasi ngjarja në Gërdec tashmë ua ka bërë jetën akoma më të pasigurt.
Kryeministri premton edhe largimin e depozitave të gazit
Nuk dihet ende se si do të veprohet me depozitat e gazit që ndodhen përballë me qytetin e Vorës, poshtë kodrave të Prezës, por kryeministri Berisha shprehet se do të shqyrtohen të gjitha kushtet. Në konferencën për shtyp të mbajtur dje, kryeministri Berisha u pyet edhe rreth masave që do të merren për depozitat e gazit që ndodhen në Vorë, pranë vendit ku ndodhi shpërthimi i së shtunës. “Për sa i përket depozitave, do të shqyrtohen të gjitha kushtet dhe çdo gjë që do të jetë jashtë tyre do të rivendoset mbi bazën e ligjit. Nuk dua të bëj këtu detyrën e Inspektoratit Shtetëror të Gazit, por ai do të marrë porosi të prera jo vetëm për Vorën, por për të gjitha vendndodhjet që duhet të jenë në përputhje me standardet dhe ligjin”, - u përgjigj kryeministri. Më tej, ai tha: “Shqipëria është vend i lirë. Ne përpiqemi të ndihmojmë njerëzit në fatkeqësi e do të bëjmë çdo përpjekje për t’ua lehtësuar fatkeqësinë”.
19 Mars 2008