Një telefonatë e përgjuar në 1991 mes Milosheviçit dhe Karaxhiç
SHËNIM I REDAKTORIT – Biseda e mësipërme është dërguar në Kontakt nga lexuesit tanë në Kosovë dhe është botuar dje në gazetën “E-Novine”. Është një bisedë e përgjuar telefonike mes Sllobodan Milosheviç dhe Radovan Karaxhiç.
Shtypi në Beograd dhe Prishtinë i ka botuar nën titullin: “Biseda të çmendurish”
Bisedat e përgjuara telefonike mes Slobodan Miloseviç, Radovan Karadzic dhe bosëve të tjerë të luftës, përveç rëndësisë së pakontestueshme ligjore për proceset që po zhvillohen në Hagë, kanë edhe vlerën e tyre historike si dokumente. Ato bëhen edhe më të vlefshme me vetë faktin se gjithë mekanizmin e së keqes e zbardhin nga brenda.
Larg syve të publikut, larg kamerave televizive – para të cilave aktrojnë politikanët seriozë, antiheronjtë e skenës politike dhe luftarake këtu janë zhveshur plotësisht, janë reduktuar në masën e tyre të vërtetë mediokre, në një ilustrim të banalitetit të së keqes, pasojat e së cilës janë shkatërruese dhe radikale. Zotëruesit bajatë të jetës dhe vdekjes gjatë bisedave me noshalancë ndajnë kufijtë, kryejnë “shpërngulje humane”, luajnë lojën e tyre të vogël shoqërore – në të cilën qytetarët e zakonshëm mund të marrin pjesë vetëm si pionë ose viktima. Dëgjuesi kohë pas kohe mund të krijojë përshtypjen se merr pjesë në radio-adaptimin e ndonjë drame të absurdit, sikur heronjtë e Beketëve ose Joneskovëve janë ngjallur dhe kanë zënë pozitat kryesore në nomenklaturën udhëheqëse, prej nga shqiptojnë nonsens-replikat e tipit:
“Unë nuk doja të refuzoja, sepse ai do të thoshte se kam refuzuar”. Vetëm se dialogët e tyre për pasojë s’kanë aplaudimin e publikut, por kufomat, gjenocidin, varrezat masive, keqtrajtimet, dhunimet, njerëzit e dëbuar dhe të gjitha format e vuajtjes njerëzore.
(Lënda: Biseda e kryer më 19 maj 1991, pak para shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë, e pastaj edhe të Kroacisë, mes Radovan Karadzic dhe Slobodan Miloseviç; numri intern: CD -1-28- 9/01/004; kontrolli i telefonit/shenja e koduar: LATAS)
Slobodan Miloseviç: Alo?!
Radovan Karadzic:Mirëdita.
Slobodan Miloseviç:Tungjatjeta,
Radovan. Ja Dobrica sapo m’shkoi para pesë minutash.
Radovan Karadzic: A po a?
Slobodan Miloseviç: M’tha se jeni dëgjuar dhe se i ke folur për atë kontaktin me Kucan’in, dhe kështu...
Radovan Karadzic: Po, ky më thirri për drekë, e unë s’mund të refuzoja, sepse pastaj ai do të thoshte se e refuzova, e kështu...
Slobodan Miloseviç: Po, po sigurisht.
Radovan Karadzic: Paj, më duket se ishin ata, se kjo është definitive, ai më tha se në Kuvend Bosnja ta përkrahë këtë gjë, megjithëse këtë Kljujic nuk e përkrahu, kështu që këta u befasuan, ky u befasua... ky Drnovsek. Më tha: “Menduam se miqtë dhe rrethi i afërm do të na përkrahnin”.
Slobodan Miloseviç: Eee, po kjo është ajo që ia thashë unë edhe atij, se më së pari ata s’do t’i përkrahin!
Radovan Karadzic:Unë i them, epo zotëri Drnovsek, neve na keni miq, serbët dhe sllovenët kurrë nuk ishin armiq, ndoshta edhe nuk jemi rrethi juaj më i afërm, por jemi miqtëtuaj. Gjegjësisht, s’jemi armiqtë tuaj. Dhe kështu, folëm ngapak në një bisedë të palidhur dhe në shaka, e ky Izetbegovic më luti që të kuptoja se si është tajmingu i kroatëve. E unë pyes, pse cilat janë synimet e kroatëve? Më tha, të ngjashme!
Slobodan Miloseviç: Nja një ditë a dy pas tyre?!
Radovan Karadzic: E tajmingu? Thotë i ngjashëm! Edhe pse, ne tashmë po bisedojmë me të gjithë tanët, ata parmbrëmë dolën me një – pas dreke – me një befasi të plotë. Izetbegovic fliste qartë dhe haptas - dhe kurrë më i hapur nuk ka qenë, që ta ndajmë Bosnjën! Unë.. ne u shtangëm. E qysh tash kjo... për këtë as që kemi menduar. Atëherë folëm për ... qysh dhe tek. Ata nuk duan të mbesin në Jugosllavinë Federative, e ne nuk duam të dalim nga Jugosllavia Federative. E atëherë sot i vazhduam bisedat, e tash këta sikur përsëri u kthyen në fillim, që... duan t’iu dhënë garanci serbëve, çfarëdo qoftë ajo, për të mbetur, për të mbetur në Bosnjën sovrane, e ne thamë se: ne juve ju ofrojmë që, si popull dhe si Republikë t’i fusim në Kushtetutën federale të gjitha garancitë për barazi, edhe atë qytetare dhe nacionale edhe republikane. Mirëpo, jo, sepse, mund të ndodh që edhe kroatët pastaj do të donin të dilnin nga Bosnja... e vetëm atëherë e kuptova se në gjithë këtë punë ai e ka të përgatitur paktin me Tudjmanin dhe se do të mundohet që t’i fajësojë këta budallenjtë çetnikë që flasin për... për publikimin e atij pakti të fshehtë. Dhe unë e dërgova Koljevicin poshtë, në Hercegovinën Lindore, që t’i shukatë ata budallenj, sepse ne s’kemi nevojë që çetnikët të na marshojnë nëpër BeH, populli serb është mjaft i bashkuar dhe i vendosur, kështu që s’ka nevojë as për ushtarë by...cullakë, gjysmushtarak – me një fjalë, kurrfare hiq... Krejt kjo është mjegull e hënë, kjo s’ka asnjë lidhje, por ja, nuk deshëm që ta ndanim popullin, nuk deshëm deri tani që t’i nënçmojmë dhe t’i... Slobodan Miloseviç: Unë të kam thënë se duhet të... se në politikë duhet të vendosen kufijtë. Dhe, ajo që na pengon më shumë, kjo i çon ujë Tudjmanit në mulli.
Radovan Karadzic: Po, e vërtetë është.
Slobodan Miloseviç: Ai vazhdimisht.. ti e di sa na ka dëmtuar Seselji me ato përrallat, se si ai në Borovo Selo kishte vrarë kroatë. Kjo është e tmerrshme!
Radovan Karadzic: Po, po. As vetes nuk i ndihmoi gjë, e plus... epo mirë, ndoshta i ka pasur pasuesi e tij atje?!
Slobodan Miloseviç: O veç rren ai.
Radovan Karadzic: Rren, askush nga Serbia s’ishte atje!
Slobodan Miloseviç: Rren se, as vetë s’ka qenë.
Radovan Karadzic: Ai ndoshta ka pasur pasues të vet atje, por se i kanë bërë...
Slobodan Miloseviç: Ai njeri ka dhënë deklaratën, ai që është mbytur, ai ka dhënë deklaratën dhe në televizor ishte xhirimi, edhe në televizor ishte se askush s’ka qenë.
Radovan Karadzic: Nga jashtë.
Slobodan Miloseviç: E këtyre iu tha, Antonije Isakovicit, se ishin tre, se ishin të tyre dhe se vinin te ne, por kur filluan të shtënat, të tretë të parët ikën në bodrum.
Radovan Karadzic: Po, po.
Slobodan Miloseviç: Kuptove?! Kështu që njeri, kjo s’ka lidhje, kjo është, kjo është.. vetëm sa për të na bërë dëm.
Radovan Karadzic: Po, po. Unë e dërgova Nikola Koljevicin poshtë që të formojë aktivin, fillimisht aktivin politik dhe që t’i ftojë nikoqirët më të mirë, e t’iu thotë se, nikoqirët e mirë atje duhet t’i udhëheqin komunat dhe atë politikë, dhe e dyta, e pastaj ta formojnë tribunën qytetare edhe për serbë edhe për myslimanë, sepse myslimanët janë shastisur poshtë nga serbët. Megjithëse, s’ka arsye që t’iu frikësohen serbëve, sepse poshtë vërtetë edhe ata elementët çetnikë s’janë kundër tyre, por kundër ustashëve, por sido që të jetë, njerëzit nuk i duan çetnikët dhe kaq! Duhet kuptuar kjo gjë, dhe ne nuk do t’ju japim arsye për ta publikuar paktin e tyre, i cili, sipas njohurive tona, tashmë është arritur, dhe mendoj se edhe armata do të duhej t’i kishte këto informata. Kur i kemi ne, do të duhej t’i kishin edhe ata... për shkuarjen e vazhdueshme të këtij Dokës, pastaj edhe të këtij Delimustaficit tonë në Zagreb dhe kontaktet e vazhdueshme. Pak a shumë nga 5-6 herë në ditë në telefon me Boljkovac.
Slobodan Miloseviç: Duan që ta ndajnë, ashtu që pjesa të jetë sa më e vogël, e ajo të bashkohet me Kroacinë.
Radovan Karadzic: Unë mendoj se ai nuk do të dëshironte që të bashkohej me Kroacinë, por se dëshiron që me ndihmën e Kroacisë të dalë nga Jugosllavia, sepse ai do ta dëshironte një enklavë islamike këtu, në luginën e lumit Bosna. Mendoj se ajo i duhet për... për këtë botën arabe.
Slobodan Miloseviç: Po, po.
Radovan Karadzic: Natyrisht, ky do të ishte një Pazar i vështirë dhe një problem i madh se çfarë principi të përdorej. Ne donim të dilnim me atë se mendojmë që është mëkat që Bosnja të ndahet. Ky është qëndrimi parimor, dhe që kur të vije deri te kjo, ne do të publikojmë se secili... secila parti duhet ta publikojë qëndrimin e vetë.
Slobodan Miloseviç: Qëndrimi juaj duhet të jetë se jeni kundër ndarjes dhe se kërkoni që Bosnja të mbetet në Jugosllavi!
Radovan Karadzic: Po, aaa...
Slobodan Miloseviç: Nëse mbahet referendum, për këtë qëndrim duhet pasur edhe një pjesë e mirë e myslimanëve.
Radovan Karadzic: Po, po. Ne, nga ana tjetër, Alisë do t’i themi se nëse dikush do të ndahet, këtë duhen ta bëjnë ata që vendosin të dalin nga Jugosllavia.
Slobodan Miloseviç: Po, po. Po, po.
Radovan Karadzic: A do vendosin me shumicë myslimanët që t’i nxjerrin jashtë kantonet e tyre... ishte një opsion që e propozuan kroatët, që Bosnja të mbetet sovrane, në bashkësinë e shteteve sovrane, por që të jetë krejtësisht e kanonizuar, sipas kantoneve nacionale, por që, të jetë sovrane dhe në bashkësinë e shteteve sovrane. Ne i lutëm që këtë gjë ta elaborojnë mirë, sepse për këtë nuk kemi menduar deri tani... kështu që ta elaborojnë mirë këtë situatë, e pastaj të shohim.
Slobodan Miloseviç: As mos e lodh fare kokën me këtë punë, s’ka gjë nga ajo punë!
Radovan Karadzic: Jo, ne dëshirojmë që ata të hyjnë në ujë të thellë aty.. dua të shoh se si do të dukej kjo. A mundet pastaj një Bosnje e kanonizuar në këtë mënyrë të mbetet në Federatë?!
Slobodan Miloseviç: Po, po.
Radovan Karadzic: E pastaj ta bëjmë kompromisin mes propozimit të tyre dhe tonit.
Slobodan Miloseviç: Po, po.
Radovan Karadzic: E, atëherë myslimanët janë mbrojtur në dy mënyra, edhe me shtet federal edhe me kan... edhe me Bonje edhe me kantonet e tyre. Janë të mbrojtur në tri mënyra! Pra, në kantonin e tyre ata do të ishin thuajse pronar absolut, apo jo?!
Slobodan Miloseviç: Jo bre, se s’do të bëjnë të gjithë myslimanët atë qe bën Alija Izetbegovic, në të them!
Radovan Karadzic: Mirë, por për Zotin kështu është tani situata, sepse ai është i shkathët, ai s’flet për ato lëvizjet ultimative. Për ato lëvizjet e tij përfundimtare, për synimin përfundimtar, për republikën islamike, por ai tani vetëm fshihet prapa shtetit të qytetarëve, dorë për dore me komunistët.
Slobodan Miloseviç: Po, po, e di, por s’janë ata kurrfarë komunistësh, po kjo është një fundamentalizëm islamik.
Radovan Karadzic: Po de, mirë e ke, me komunistët e Durakovicit.
Slobodan Miloseviç: E di ti, komunistët nuk janë për ato ndarje nacionale. Kështu që, kjo e Dukarovicit, kjo... kjo është njëfarë pikture e Dorian Gray.
Radovan Karadzic: Po, po. Pikërisht ashtu. Kjo derdhet përbrenda e mbahet nga jashtë, megjithëse figura e re e mbanë, ajo derdhet nga brenda.
Slobodan Miloseviç: Po, po.
Radovan Karadzic: Poo.. edhe kam frikë se... ja e keni parë edhe vetë atë punën me armatën dhe me këtë Tudjmanin, apo jo? Kam frikë se ata pikërisht këtu do të mundohen ta shpallin paktin, dhe të kërkojnë ndihmë nga Tudjmani.
Slobodan Miloseviç: E si do ta shpallin paktin?
Radovan Karadzic: Paj, do t’i akuzojnë serbët se i mbajnë si peng në Jugosllavi, ose se dëshirojnë ta copëtojnë Bosnjën, ose në çfarëdo mënyre tjetër. Për çfarëdo qoftë. E tash, brenga më e madhe e tyre është që të na akuzojnë, por ne nuk ju japim asnjë shkas.
Slobodan Miloseviç: Jo, jo. Nesër unë do të flas në Kuvend, dhe besoj se kjo do të jetë e fortë, shpresoj edhe korrekte, saqë s’do të mund të ankohen as ata.
Radovan Karadzic: Aha, aha.
Slobodan Miloseviç: Sapo ia prezantova këtë edhe Dobricës pak parëz...
Radovan Karadzic: Aha.
Slobodan Miloseviç: (Mendoj se), se pikëpamjet, janë mjaft identike.
Radovan Karadzic: Mm, mirë është kjo që do të bëni në Kuvend, është shumë me rëndësi që ju ta vlerësoni atë Kuvend, se është...
Slobodan Miloseviç: Po, po.
Radovan Karadzic: Se e pranoni si organin më të lartë të pushtetit dhe që ata të ndihen, të ndihen mirë për këtë. Kjo do të jetë bukur. Mm, unë s’e di, t’ju them të drejtën, këtë punën me armatën. A është ajo e vetëdijshme sa janë këta të armatosur. Poshtë në Hercegovinë disa kontrabandues me whiskey filluan të kontrabandojnë edhe armatim të vjetër. Ky është një hedhurinë pa... (Pastaj i drejtohet dikujt që i tregon se “e kërkon Biljana Plavsic”, e Karadzic ia kthen: “Le të presë pak”). ... një hedhurinë pa lidhje që i është futur njerëzve tanë, një përpjekje për kompromitim para shpalljes së rajonit të Hercegovinës Lindore, para seancës së Kuvendit... vetëm një ditë përpara. Ja, sot në mëngjes kemi kapur një kamion me armatim, por ma pështjellën disi policët, e assesi s’po mund t’i bije më në gjurmë. Kinse ishte në remont në Kragujevc, megjithëse unë po kërkoj dokumentacionin përcjellës që ta vërtetojmë këtë me Kragujevcin. Ende s’mora gjë. Myslimanët po armatosen.
Slobodan Milosevic: Pih, po s’do t’iu ndihmojë kjo gjë për të bërë ndonjë akt dhune. Mirë, Radovan, do të jemi në lidhje dhe do të dëgjohemi.
Radovan Karadzic: Mirë. A s’ka asgjë tjetër të re a?
Slobodan Milosevic: Jo s’ka asgjë tjetër.
Radovan Karadzic: A kontaktoi ai shefi i kabinetit?
Slobodan Milosevic: Jo. Në të vërtet po (Lerotic?), kontaktoi me këta dhe ata duket se dëshirojnë që të shohim diçka. Por, unë mendoj se ai ka për qëllim që nesër, kur të shihemi në Beograd, sepse aty do të jetë edhe Delor, kështu që do të jemi në situatë që të takomi të gjithë, atëherë me gjasë edhe do të propozojë diçka.
Radovan Karadzic: Aha. Nëse përfundon kjo, atëherë të gjithat do të kryhen si duhet.
Slobodan Milosevic: Sigurisht. Mirë, do të jemi në lidhje.