Kompensimi, ish-pronarët: Qeveria fushatë me legalizimet
TIRANË- Çështja e legalizimit të objekteve pa leje pritet të jetë përsëri “karta” të cilën demokratët do të kërkojnë të përdorin për të synuar fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pasi arriti ta përdorë më së miri këtë çështje në zgjedhjet lokale të vitit 2007, pavarësisht se nuk arriti të lëshojë më shumë se tre certifikata pronësie, mazhoranca aktuale duket se do të aplikojë të njëjtën strategji për të fituar votën e këtyre zonave edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Për këtë ajo ka planifikuar që deri në prag të këtyre zgjedhjeve të lëshojë afro 200 mijë certifikata pronësie për banorët e ardhur kundrejt çmimeve simbolike që ata do të paguajnë për çdo metër katror truall apo tokë të zënë sipas çmimeve të hartës aktuale të vlerës së tokës, ndërkohë që pronarët legjitimë do të shpronësohen më pas sipas hartës së re të vlerës së tokave, pavarësisht se ligji për legalizimet parashikon që të dyja këto procese të kryhen njëkohësisht. Një fakt të tillë e evidentojnë vetë pronarët legjitimë që presin të shpronësohen nga ky proces, të cilët paralajmërojnë gjithashtu se qeveria me anë të këtij plani po përgatit një vjedhje të madhe të pronës private. Sipas anëtarit të kryesisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Reshit Vorpsi, qeveria po kërkon të favorizojë zonat bastion të sajat, siç është rasti i Bathores apo i Kamzës, duke i shitur trojet e zëna nga banorët e ardhur kundrejt çmimeve disa fish më të ulëta sesa është çmimi real i tregut të tokës. Kjo, sipas tij, përveç këtij favorizimi do të rrisë në maksimum faturën që duhet të paguajë qeveria për shpronësimin e pronarëve të vjetër, duke e bërë deri diku këtë proces të parealizueshëm. “Po përgatitet një megavjedhje. Në Kamëz sot çmimi real i tregut të tokës sipas Ministrisë së Financave është rreth 600 euro për metër katror, ndërkohë që ata persona që do të legalizohen atje në Kamëz do ta marrin vetëm 10 dollarë për metër katror”, - tha Vorpsi. Një tjetër element që vërteton favorizimin që qeveria po kërkon t’i bëjë këtyre zonave që presin të legalizohen është edhe mosmiratimi i planit strategjik të Tiranës së Madhe. Sipas Vorpsit qeveria po pengon qëllimisht miratimin e këtij plani, pasi në rast se ai do të hynte në fuqi, në bazë të ligjit aktual të legalizimeve të gjitha ndërtimet pa leje që do të ndodheshin brenda vijës së verdhë të tij nuk do të legalizoheshin. “Pika 4 e nenit dy të ligjit të legalizimeve thotë shprehimisht se nuk shtrihet për ndërtime pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë kur planet rregulluese parashikojnë ndërtime mbi pesë kate nga niveli zero. A e kuptoni pse rri në sirtar plani strategjik i Tiranës së Madhe? Në qoftë se ky plan i vijës së verdhë i Tiranës së Madhe do të ishte miratuar sot sipas nenit 2 të këtij ligji, këto legalizime nuk do të bëheshin në Kamëz”, - tha Vorpsi. Gjithashtu ish-pronarët konsiderojnë një mision të pamundur të kësaj qeverie edhe kompensimin fizik të ish-pronarëve brenda mandatit të kësaj qeverie. Sipas tyre, fatura totale për kompensimin qoftë fizik apo edhe atë financiar të ish-pronarëve do të jetë barrë e qeverive të tjera që do të vijnë pas zgjedhjeve të 2009. “Nuk mund të bëhet fjalë brenda këtij mandati qeverisës për kompensim fizik dhe kjo është mëse e qartë, pra kompensimi fizik do t’i takojë një strukture tjetër qeverise që do të dalë pas zgjedhjeve”, - tha Vorpsi. Ndërkohë, përsa i përket kompensimit financiar ai shprehet se qeveria aktuale ka bllokuar fondin prej 500 milionë lekësh të përcaktuar në buxhetin e shtetit me qëllim që ta afrojë shpërndarjen e tij sa më afër fundit të vitit, me qëllim përdorjen si një mjet për të përfituar kapital politik në prag të zgjedhjeve të ardhshme. “Për atë që quhet shpronësim financiar ajo shumë e miratuar sot në Buxhetin e Shtetit prej 500 milionësh patjetër që do të shpërndahet, por kjo do të bëhet në fundin e vitit, atëherë kur për arsye elektorale mund të rritet kjo shifër edhe një herë sa kaq”, - tha përfaqësuesi i shoqatës së pronarëve të shpronësuar “Pronësi me Drejtësi”, Reshit Vorpsi.