Çmimet, Beqja: Fuqia blerëse në rënie
TIRANË- Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se fuqia blerëse e familjeve shqiptare është në rënie shqetësuese.
“Për mbi 200 mijë familje të pensionistëve që jetojnë të vetëm, në qytet rritja më e fundit nuk ofron më shumë se 1700 lekë në muaj apo 55 lekë në ditë. Kjo shumë të hollashnuk mjafton për të përballuar: shtrenjtimin mujor, me të paktën 600 lekë, të faturës së energjisë elektrike të një çifti pensionistësh; shtrenjtimin mujor, me të paktën 550 lekë, të 600 gramëve në ditë bukë që ka nevojë për të jetuar një çift pensionistësh; shtrenjtimin mujor, me të paktën 400 lekë, të konsumit të vajit dhe yndyrave që ka nevojë për të jetuar një çift pensionistësh”,- tha dje Beqja. Nënsekretari socialist shtoi se janë shtrenjtuar krahasuar me një vit më parë edhe të tjerë zëra të nevojave mujore për të jetuar, por statistikat e mësipërme, sipas tij, mjaftojnë për t’u dëshmuar shqiptarëve që pensionistët jetojnë këtë vit më keq se ç’jetonin vjet. “Situata është më e rëndë për të punësuarit të cilëve një pjesë e mirë e rritjes së pagës në korrik 2008, u shkon për të përballuar pakësimin që iu bë pagës reale nga zbatimi i taksës së sheshtë në gusht 2007. Kundrejt kësaj situate dramatike, burimet zyrtare vijojnë të deklarojnë që ushqimet kushtojnë më lirë, meqë shalqiri e pjepri kushtuakan më lirë se në dhjetor 2007”, -tha ai.